Fjalë Kyçe

O’Connell përsërit fjalët e Clinton: Veprimi për paqen, zgjedhje që secili prej nesh mund të bëjë

20 vjet pas luftës, ne kemi një shans për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të ardhmen që ne mund të ndihmojmë për ta ndërtuar.

Kështu ka deklaruar sot ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë Ruairi O’ Connell me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

“NATO veproi në vitin 1999 për të ndalur katastrofën humanitare në Kosovë. NATO-ja veproi për të parandaluar shkeljet e mëtejshme dhe të vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe vrasjen e civilëve. KFOR-i ka siguruar një mjedis të sigurt në Kosovë ku të gjithë qytetarët e saj mund të përparojnë”, shkruan diplomati britanik në Facebook.

Ndërsa e shënojmë këtë përvjetor, diplomati britanik tha se duhet të kujtojmë të gjithë ata që u prekën nga lufta, ata që vuajtën dhunë të tmerrshme, duke përfshirë përdorimin e dhunës seksuale si një armë lufte.

“Mendoj në veçanti mbi 1000 fëmijë të vrarë, madje edhe pas 12 qershorit 1999. Mendoj për ata paqeruajtës, në KFOR dhe UNMIK, të cilët vdiqën në shërbim të paqes në Kosovë. Në kujtesën e tyre, duhet të angazhohemi për një të ardhme më të mirë. Mbështetje për viktimat. Drejtësi për ta dhe për familjet e tyre. Por gjithashtu një angazhim për të treguar të vërtetën për atë që ka ndodhur dhe për të bërë gjithçka në fuqinë tonë për ta ndaluar atë përsëri. Siç tha presidenti Clinton sot, veprimi për paqen është një zgjedhje që secili prej nesh mund të bëjë”, shkruan O’Connell.