Fjalë Kyçe

Odat ekonomike kërkojnë ndryshime në projektligjin për tregti me jashtë

Odat ekonomike kërkojnë ndryshime në projektligjin për tregti me jashtë

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka mbajtur dëgjim publik lidhur me projektligjin për Tregti me Jashtë, ku u kërkua që Ligji për Masat e Mbrojtjes në Importe të inkorporohet në projektligjin për Tregti me Jashtë, si dhe të saktësohet neni 23 në mënyrë që të evitohen dykuptimësitë.

Koordinatorja e Odës së Afarizmit të Kosovës, Qëndresa Ibrahimi, tha se me Ligjin për Tregti me Jashtë duhet të përcaktohen masat kundër importit të subvencionuar dhe se në kuadër të këtij ligji duhet të inkorporohet edhe Ligji për Masat e Mbrojtjes në Importe.

Ajo argumentoi edhe arsyet se pse duhet të ndodhë kjo.

“OAK rekomandon që Ligji për Masat e Mbrojtjes në Importe të inkorporohet komplet në projektligjin për Tregti me Jashtë, ashtu siç e kanë të rregulluar edhe vendet e rajonit. Arsyetim: ky ligj do të shqyrtohet edhe nga investitorë të huaj, të cilët nuk kanë njohuri për komplet legjislacionin e vendit, andaj është shumë e nevojshme të ketë përmbledhje të të gjitha çështjeve që rregullojnë importin, eksportin dhe kalimin transit të mallrave nëpërmjet Republikës së Kosovës në një ligj të vetëm”.

Lidhur me këtë Zef Deaj nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha se ligji parasheh edhe masën mbrojtëse në importe, por edhe atë për importin e subvencionuar.

“Neni 32 i këtij ligji parasheh masat mbrojtëse në importe, ku njëkohësisht ne e kemi edhe ligjin e ndarë për masat mbrojtëse në importe, i cili është aplikuar dhe vazhdon të aplikohet”.

Andrra Nurkollari nga Oda Ekonomike Amerikane tha se kundërshtojnë nenin 23 të projektligjit nga që vlerësojnë se i njëjti është në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, pasi pengon qarkullimin e lirë të mallrave.

“Pas një analize të projektligjit, oda ka kundërshtim me marrjen e lejes së importit dhe eksportit, konsiderojmë se pengon qarkullimin e mallrave”, u shpreh ajo.

Edhe Emrush Ujkani nga Këshilli i Investitorëve Evropian tha se disa ndryshime duhet të bëhen te neni 23.

“Ajo që na gëzon janë tri aspekte: ky ligj është në tërësinë e vet i harmonizuar me Organizatën Botërore Tregtare, e mbron tregun dhe parimet janë të inkorporuara në ligjin dhe nga perspektiva, këto janë të arritura. Ato që i kemi si komente do t’i ndajmë me administratën e Kuvendit, është fjala për nenin 23”.

Lumnije Hashani nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se ky projektligj është në përputhje me MSA-në dhe tregtinë e jashtme.

“Ne si komitet i biznesit kërkojmë që ky ligj të miratohet, sepse i ndihmon bizneset në të bërit biznes”.

Përkrahje për këtë projektligj dha edhe Oda Ekonomike Gjermane e Kosovës.

Ndërkaq, deputeti Pal Lekaj tha se nga praktikat e mëparshme është vërejtur se ka keqpërdorime prandaj, siç tha ai, neni 23 duhet të saktësohet në mënyrë që të evitohen dykuptimësitë./ KP