Telefonat këto ditë janë rritur në aspektin e madhësisë së ekranit dhe kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe pasi që shikimi i videove, shfletimi në internet dhe lojërat janë shumë më komode në një ekran më të madh. Dobësitë janë që telefonat më të mëdhenj kanë nevojë për bateri më të mëdha, dhe gjithashtu telefonat më të mëdhenj mund të jenë pak të vështirë për ata me duar të vogla.
Megjithatë duket se OnePlus, që është po aq “fajtor” si pjesa tjetër e industrisë për të ndihmuar në shtytje të telefonave me ekrane të mëdha, ka treguar se nuk do të kishin mëdyshje për të bërë një telefon të vogël, përcjell Telegrafi.
Duke folur për PC Mag nëpërmjet një përkthyesi, CEO i OnePlus, Pete Lau, deklaroi se kompania nuk do të kishte problem të ndërtonte një telefon më të vogël në qoftë se ata mund të zgjidhnin disa probleme me bateri.
Sipas Lau, “Nëse mund ta zgjidhim problemin e baterisë, patjetër do të bëjmë një telefon më të vogël. Unë shoh shumë kërkesa për këtë lloj madhësie. Por, duke shikuar industrinë, teknologjia e baterive nuk ka ndryshuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve. Është pak një situatë e ndërlikuar, ku telefonat me ekrane të mëdha do të thotë që kanë nevojë për bateri më të mëdha për të qëndruar funksional.”
Në të njëjtën kohë, një telefon më i vogël mund të mos ketë hapësirën e nevojshme për të akomoduar një bateri më të madhe, e cila gjithashtu mund të ndikojë në jetën e baterisë. Siç tregon PC Mag, telefoni i sapo lansuar i Palm është i vogël, por po kështu është edhe jeta e e baterisë së pajisjes.