Mbledhja e Kryesisë ka përfunduar ende pa filluar mirë, pasi opozita ka lëshuar sallën.
Lëvizja Vetëvendosje po kërkon zgjedhje te jashtëzakonshme edhe qysh nesër pritet të dorëzohet në Kuvend mocioni për rrëzimin e Qeverisë.
Deputetja e LVV-së Albulena Haxhiu, ka thënë se opozita lëshoi mbledhjen për shkak të arrogancës.
“Opozita e lëshoj mbledhjen e kryeses për shkak të arrogancave. Në një vend ku Kuvendi është jo funksional dhe janë grumbulluar rreth 70 pika dhe që presin që nga shtatori për tu përfunduar, në një vend ku presidenti e shkel, kushtetutën, qeveria e shkel Kushtetutën, Kuvendi e shkel Kushtetutën, zgjedhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Këtë qëndrim të VV-së e thash edhe në mbledhje të kryesisë e cila dështoi sapo filloi. LVV është që qysh nesër të dorëzohet mocioni për rrëzimin e Qeverisë pavarësisht faktit se a i kemi apo jo 60 vota, zgjedhjet janë e vetmja mundësi për të dal nga ky kaos që përgjegjëse është Qeveria e Kosovë”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se nuk ka kuptim që të thirren seanca të tilla dhe se sipas tij ka kohë që i ka humbur legjitimiteti kësaj Qeverie.
“Ky koalicion i pakicës nuk mund ta mbajë vendin peng, nuk mund të ftohen seanca ndërkohë që nga shtatori i viti të kaluar të gjitha pikat kanë mbetur. Ne shprehim qëndrimin e Grupit të tonë Parlamentar që nuk ka kuptim të thirrën seanca të tilla dhe ka kohë që ka humbu legjitimiteti i kësaj Qeverie, në veçanti tash pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku të gjitha veprimet për dy vite gati, Qeveria dhe Ekipi Negociator kanë bërë shkelje të Kushtetutës. Ne jemi të gatshëm që të ulemi dhe të shohim se si të nxjerrët vendi nga kjo kriza institucionale, duke koordinuar veprimet”, ka thënë Hoti.
Ndërsa, deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina ka thënë se do t’i kene12 vota të PSD-së kurdo që dorëzohet mocioni.
“PSD Ka dorëzuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por ne mendojmë se derisa t’i sigurojmë të gjitha vota për rrëzimin e Qeverisë, të mbikëqyrim Qeverinë”, ka thënë Pantina