Opozita i ka kërkuar Qeverisë të përgatisë dhe të publikojë platformën dhe strategjinë për dialogun me Serbinë, para se kryeministri Albin Kurti të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Por, Ekzekutivi planifikon që këtë ta bëjë më vonë, pasi takimin e këtij muaji nuk e vlerëson si vazhdim të dialogut.
Qeveria është zotuar se do të hartojë platformën dhe strategjinë për dialogu, por pas takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kjo, pasi ekzekutivi takimin e mesit të qershorit nuk e konsideron si vazhdim të dialogut, por përgatitje për dialogun e ardhshëm.
“Atëherë është e rrugës të trajtohet ky takim ashtu siç është dhe për të ardhmen, kur të ketë një dakordim për kapitullin e ri të dialogut do të ketë dokumentet e nevojshme në të cilat bëhet përgatitja e qeverisë sa i përket këtij procesi. Por duhet ta keni parasysh se disa dokumente mund të jenë publike për diskutim, por disa të tjera për shkak të ndjeshmërisë së përmbajtjes së tyre nuk mund të jenë pjesë e diskutimit publik”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Mirëpo, opozita e kërkon të kundërtën. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj insiston që para takimit me Vuçiqin, kryeministri Kurti të paraqesë në Kuvend platformën për dialogun.
“Nuk duhet të shkojë (Bruksel) pa një platformë, ai duhet shpejtë të sjell platformën në Kuvendin e Kosovës, të debatohet edhe t’i merr propozimet edhe të opozitës dhe partnerëve qeverisës. Të hartohet platforma dhe të dihet cilat janë hapat e diskutimit”, ka thënë Kadrijaj.
Thirrje për përgatitjen e këtyre dokumenteve ka bërë edhe Instituti Demokratik i Kosovës.
“Do të ishte mirë që të kishte një dokument të shkruar ku artikulohen qartë pozicioni i Kosovës për këtë proces. Ku iu bëhet një analizë marrëveshjeve tashmë të arritura të dialogut që mbledhin informacionet nga terreni se çfarë ka ndodhur dhe sa janë zbatuar ato në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë gjitha informacionet para se të vazhdojë me dialogun me Serbinë”, është shprehur Violeta Haxholli nga KDI-ja.
Ndonëse data nuk është bërë publike, Kurti do të përballet me Vuçiqin në Bruksel gjatë mesit të këtij muaji.
Në prag të këtij takimi, Prishtinën e Beogradin i vizituan gjatë kësaj jave emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer.