Fjalë Kyçe

Opozita tregon a do ta rrëzojë Qeverinë me votat e Listës Serbe

Opozita tregon a do ta rrëzojë Qeverinë me votat e Listës Serbe

Ndonëse nuk e shohin Listën Serbe si alternativë për rrëzimin e qeverisë, partitë opozitare, nuk e përjashtojnë një mundësi të tillë. Opozitës i duhet edhe pesë vota për të arritur qëllimin për të rrëzuar qeverinë Hardinaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga kur është krijuar qeveria pati lajmëruar se do të punojë vazhdimisht për rrëzimin e sajë. Tash e disa muaj, LDK ka mbledhur nënshkrimet e opozitës, por për të ardhur deri te rrëzimi i qeverisë i duhen edhe disa vota të pozitës.

Qëndrimi i LDK-së ka qenë se qeveria Haradinaj, do të rrëzohet edhe me votat e Listës Serbe, pasi siç thonin, ishte pikërisht Lista Serbe, ajo që mundësoi rrëzimin e qeverisë Mustafa.

Por tani, LDK thotë se lista serbe nuk është alternativë.

“Do te mundohemi me çdo formë që përbrenda koalicionit PAN t’i gjejmë edhe votat tjera për rrëzimin e koalicionit PAN. Lista Serbe nuk është alternativë”, bënë të ditur përmes një përgjigje zëdhënësi i LDK  Besian Mustafa.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se nuk llogarisin në votat e Listës Serbe, por as nuk mund t’ia mohojnë që të votojnë pro rrëzimit të kësaj qeverie.

“Nuk ua kërkojmë e as nuk llogarisim në votat e tyre për rrëzimin e Qeverisë. Por njëkohësisht as nuk mund t’ua imponojmë se si ata do të votonin në këtë rast, ashtu siç ne nuk mund t’i sjellim me zor në Kuvend e as t’i nxjerrim nga Kuvendi kur të votohet mocioni ndaj Qeverisë”, tha për RTV Dukagjinin, Rexhep Selimi.