Fjalë Kyçe

Organizata të shoqërisë civile dënojnë deklaratën e ministrit Murati

Organizata të shoqërisë civile dënojnë deklaratën e ministrit Murati

Organizatat anëtare të Human Rights Network (HRN) kanë dënuar gjuhën e ministrit të Financave, Hekuran Murati, që në seancën e Kuvendit të enjten u shpreh se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit në disa raste ka rënë “pre e dezinformatave të mediave të cilat pra ende janë pjesë e gardës së vjetër e madje edhe disa organizatave të shoqërisë civile që maskohen si të tilla”.

“Deklarata me akuza të tilla drejtuar OJQ-ve dhe mediave në Kosovë me pretendimin se janë të kapura nga Qeveritë paraprake, janë sulme direkte ndaj këtyre të fundit. Një praktikë lincuese e kësaj natyre ndaj OJQ-ve, dhe mediave, pikërisht në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, është një tregues i mungesës së bashkëpunimit, i një nënçmimi dhe degradimi të punës së aktivistëve/eve dhe gazetarëve/eve e mediave nga Ministri i Qeverisë Kurti”, thuhet në reagimin e organizatave të HRN-së.

Këto organizata kanë thënë se raportet duhet të shërbejnë si pasqyrë e ngecjeve dhe problemeve mbi bazën e të cilave duhet të reflektojë çdo ministër për punën e vet. Organizatat kanë thënë se deklarata të tilla i kontribuojnë trendit negativ në renditjen e Kosovës në listat për liri të shtypit.

“Pikërisht duke u nisur nga kjo praktikë e rrezikshme e linçimit dhe denigrimit të punës së OJQ-ve dhe mediave dhe shumë rasteve të tjera në vitin e fundit, sot Kosova ka shënuar regres alarmant duke u rradhitur 19 vende më poshtë në indeksin e Reporters Without Borders në lirinë e medias. Deklarata si kjo e Ministrit Murati i kontribuojnë tutje këtij trendi negativ”, thuhet në reagim.

Gjashtë organizatat anëtare të HRN-së u kanë bërë thirrje qeveritarëve të përmbahen nga deklarata linçuese e që të shfrytëzojnë raportet e tilla si kritika konstruktive ndaj punës së tyre dhe të punojnë drejt përmirësimit të situatës.

Organizatat anëtare të Human Rights Network (HRN): Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR KS, Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova, Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD, Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGJ, Iniciativa e Re Sociale – NSI dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve – VORAE.