Fjalë Kyçe

Ortopedia në kushte të mjerueshme, ndërtimi i objektit të ri pritet pas dy vjetësh

Ortopedia në kushte të mjerueshme, ndërtimi i objektit të ri pritet pas dy vjetësh

Edhe pse këtë verë temperaturat në vend kanë arritur deri në afro 40 gradë, në dhomat e Klinikës së Ortopedisë të QKUK-së nuk ka as perde të vendosura në dritare e as ndonjë flladitëse që sado pak t’i freskojë vendet ku pacientët qëndrojnë të shtrirë me javë të tëra me plagë të ndryshme.

Era e rëndë që kundërmon i frikëson pacientët se mund të marrin ndonjë infeksion nga papastërtia. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja zgjidhjen e këtij problemi e parashohin vetëm pas dy vjetëve kur, sipas tyre, do të ndërtohet objekti i ri për këtë klinikë.

Një pacienteje djersët po ia përshkonin fytyrën teksa rrinte e shtrirë në njërën nga dhomat e Klinikës së Ortopedisë. Sipas saj, kjo klinikë nuk ka kushte për trajtim të pacientëve.

“Siç po e sheh vetë as perde nuk kemi në dhomë, e në këto temperatura të larta vetëm po na vlojnë djersët. E kam marrë një flladitëse prej shpisë po asgjë punë s’po kryen, sepse dielli shumicën e kohës po bie në dhomë. Jam me plagë në dy këmbët, as dezinfektues në dhomë nuk ka. Me shumë vështirësi jam duke i kaluar ditët këtu”, thotë ajo.

Problem tjetër gjatë qëndrimit në këtë klinikë ajo po thotë se janë edhe mushkonjat.