Fjalë Kyçe

Osman Ejupi i cili punësoi katër fëmijët në Telekom, është ‘I deleguar’ i partisë Nisma

Osman Ejupi i cili punësoi katër fëmijët në Telekom, është ‘I deleguar’ i partisë Nisma

Anëtari i Bordit të Telekomit Osman Ejupi po dyshohet për punësime familjare në Telekomin e Kosovës. Brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij arritën të punësohen në njërën nga ndërmarrjet publike të Kosovës, ku babai i tyre është hiç më pak se njëri nga drejtorët e Bordit të Telekomit.

Osman Ejupi u përzgjodh të jetë anëtar i Bordit të Telekomit më 29 mars të 2018-s, në një bord që u cilësua politik.

Burime të Gazetës Alo bëjnë me dije se Ejupi është deleguar nga partia Nisma Socialdemokrate. ‘Të gjithë anëtarët janë politikë, kurse Ejupi është deleguar nga Nisma. Të gjitha punësimet bëhen mbi baza partiake, kurse punësimet më të mëdha janë bërë pikërisht nga Nisma”, ka thënë ky burim.

Ejupi është kujdesur që të mbrojë ‘politikat e partisë’, kurse për këtë është shpërblyer me punësimin e fëmijëve të tij. Pak muaj më vonë, të katër fëmijët e tij iu bashkuan Telekomit.

E para që u punësua ishte Artina Ejupi-Tolaj, e cila mori kontratën më 18 qershor të 2018-s.

Një javë me vonë, në Telekom, Artinës iu bashkuan edhe motra dhe vëllezërit e saj.

Më 25 qershor, kontratat i morën edhe Arxhina Ejupi-Islami, Ardian e Armend Ejupi.

Që të gjithë janë të punësuar si agjentë të shitjes, rroga e të cilëve sillet rreth 800 euro.

Kohavisioni ka provuar të vë kontakt edhe me Osman Ejupin, për ta pyetur rreth punësimeve apo nëse ka përdorur autoritetin e tij për t’i punësuar fëmijët.

“Ju lutem, më kontaktoni pas gjysmë ore, sepse jam duke vozitur”, ka thënë ai.

Por, pas kësaj telefonate, Ejupi nuk e ka hapur më telefonin.

Kohavisioni ka dërguar pyetje edhe te menaxhmenti i Telekomit të Kosovës për të marrë qëndrimin zyrtar të tyre për punësimin e fëmijëve të Osman Ejupit, anëtar i Bordit të Telekomit, por të njëjtit nuk kanë kthyer fare përgjigje.

Emri i Osman Ejupit figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve. Pak ditë para së të emërohej anëtar i Bordit të Telekomit, më 14 mars të 2018-s, kishte hapur një institucion parashkollor dhe personi i autorizuar është vajza e tij, Arxhina Ejupi-Islami.

Edhe aksionari kryesor i Telekomit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, është në dijeni për punësimet e tilla.

Vetë ministri Valdrin Lluka ka thënë në KTV-në se numri i të punësuarve, që nga qershori i 2018 në Telekom, është rritur për 200 persona.

Madje, sipas tij, arsyetimi që i ka ardhur nga Telekomi është se këto punësime janë bërë në emër të marrjes në duar të shitjes së shërbimeve të Valës.

Osman Ejupi, për kohë të gjatë, ka qenë anëtar i Bordit të autoritetit kosovar të konkurrencës./Gazeta Alo/