Fjalë Kyçe

Osmani: 2 Korriku i vitit 1990 ishte akt heroik, duke mos pranuar nënshtrimin ndaj shtypjes serbe

Osmani: 2 Korriku i vitit 1990 ishte akt heroik, duke mos pranuar nënshtrimin ndaj shtypjes serbe

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar 2 Korrikun e vitit 1990, kur ishte shpallur deklarata kushtetuese, duke thënë se ky moment ishte historik për shtetin e Kosovës,.

Në seancën solemne që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, në nder të asaj date, Osmani ka thënë që shpallja e deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut ishte akt heroik dhe juridik, duke mos pranuar nënshtrimin ndaj shtypjes serbe, njofton Klankosova.tv.

“Akti politik të cilin po e rikujtojmë sot në këtë seancë solemne, miratimi i deklaratës kushtetuese nga delegatët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, është njëra nga këto ngjarjet e rëndësishme për kombin dhe vendin tonë, e cila e ka artikular vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri, në një moment kthese të madhe historike”.

“Duke e kujtuar legjislaturën e vitit 1990 të këtij Kuvendi, që të gjithë 114 delegatët e atëhershëm, të cilët më 2 korrik 1990 e shpallën deklaratën kushtetuese ne kujtojmë jo vetëm një veprim të përgjegjshëm të përfaqësuesve të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, por edhe një përcaktim të vendosur për një të drejtë historike të mohuar ndaj popullit tonë, për dekada të tëra”.

“114 delegatët e Kuvendit të Kosovës, duke mos e pranuar shtypjen e as hegjemoninë serbe dhe as idenë komuniste, u ngritën mbi shtypjen e kërcënimin dhe duke e njohur dhe respektuar idealin e brezave të tërë, por edhe sakrificën e tyre e deklaruan kumbueshëm vullnetin e pathyeshëm të qytetarëve të Kosovës për liri. Prandaj sot, kur po e jetësojmë për çdo ditë shtetin e Kosovës është momenti që ta rikujtojmë kontributin e secilit prej tyre”.

Osmani tutje theksoi se me shpalljen e 2 Korrikut, delegatët i hapën udhë shtetësisë së Kosovës.

“Dua të kujtoj kontributin e jashtëzakonshëm të delegateve gra të atij Kuvendi të vitit 1990, të cilat kanë bërë një sakrificë të pashoq në mënyrë që të japin kontributin e tyre për dhënien e themeleve të shtetit të Kosovës. Deklarata kushtetuese e miratuar nga delegatët e asaj kohe, ishte akt politik dhe juridik, me të cilin Kosova përfundimisht nuk pranoi t’i nënshtrohej shtypjes serbe, e cila kishte sunduar dhunshëm për shumë vjet dhe po bëhej gati ta mbyllte me projektin e deportimit dhe të shfarosjes së shqiptarëve të Kosovës”, u shpreh Osmani.