Fjalë Kyçe

Osmani dhe Konjufca vaksinohen kundër COVID-19

Osmani dhe Konjufca vaksinohen kundër COVID-19

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe Kryekuvendari, Glauk Konjufca, kanë marrë dozën e parë të vaksinës ndaj COVID-19.

Në një njoftim të lëshuar mbrëmë vonë nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se Osmani dhe Konjufca u vaksinuan në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, njofton Klankosova.tv.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot kanë vizituar sallën 1 Tetori për të parë nga afër përgatitjet për fillimin e vaksinimit në masë që do të filloj nga java e ardhshme. Njëkohësisht shprehën mirënjohjen e tyre për Ministrinë e Shëndetësisë dhe personelin shëndetësor për sigurimin e vaksinave dhe procesin e vaksinimit”.

“Gjatë kësaj vizite, Presidentja dhe Kryetari i Kuvendit u vaksinuan me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 në përputhje me planin për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Gjatë vaksinimit mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili i njoftoi se deri tani rreth 100 mijë qytetarë janë vaksinuar ndaj COVID-19 dhe të njëjtit nuk kanë pasur asnjë efekt serioz anësor dhe se vaksinat janë të sigurta dhe se ky proces po ecën sipas planit.

Presidentja Osmani, me këtë rast ka porositur të gjithë qytetarët që sapo të fillojë vaksinimi masiv, t’i përgjigjen ftesës për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Vaksinat janë të sigurta dhe vetëm përmes vaksinimit dhe respektimit të masave, do të mund t’i kthehemi normalitetit duke mposhtur virusin COVID-19” tha presidentja Osmani.

Sipas saj, vaksina duhet të kuptohet edhe si përgjegjësi, ngase krijojnë siguri dhe mundësojnë këndelljen ekonomike të vendit nga pasojat e pandemisë.

Edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ftuar qytetarët që ta marrin vaksinën, sepse është zgjidhja më e mirë kundër COVID-19. Sipas tij, me vaksinim lehtësohet edhe shteti, ngase bëhet e mundshme hapja, rikthimi i normalitetit, por edhe stabilitet i përgjithshëm.

Kujtojmë se kurën ndaj COVID-19 tashmë me të dy dozat e ka marrë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.