Fjalë Kyçe

Osmani: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

Osmani: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Faces of Democracy”, ka thënë se Kosova ka qenë gjithmonë e privilegjuar për mbështetjen e SHBA-ve.

Ajo thotë se Presidenti Biden ka qenë përkrahës i madh i pavarësisë sonë dhe tentimeve tona për forcim të shtetësisë.

“Republika jonë e re ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht e privilegjuar që të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por nuk është për t’u habitur që njerëzit tanë janë të kënaqur kur panë Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me Zëvendës Presidenten Harris. Presidenti Biden ishte zëri ynë kur nuk e patëm një të tillë gjatë viteve 1990 dhe ka qenë një mbështetës i madh i pavarësisë sonë dhe përpjekjeve tona më të fundit për të forcuar shtetësinë tonë. Kështu, unë kam besim se ai do të gjejë kohë për t’u marrë me çështjet me të cilat përballet Kosova sot”.

Ndër të tjerash, Osmani tha se dialogu Kosovë – Serbi nuk do të jetë prioriteti numër një i Qeverisë së ardhshme të Kosovës, por do të jetë në fokus dhe se ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe me respektim të integritetit territorial të Kosovës dhe rendit kushtetues.

“Për një kohë të gjatë, problemet ditore dhe më akute të qytetarëve të Kosovës janë lënë anash, ndërsa liderët e kaluar të Kosovës janë fshehur prapa temës së dialogut duke i maskuar dështimet brenda vendit. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë sërish. Qytetarët tanë kanë nevojë për drejtësi e punë, dhe është detyrë e jona t’u ofrojmë këtë. Dialogu me Serbinë, sigurisht, po ashtu do të jetë fokusi ynë dhe do të sigurohemi që shteti ynë të tregojë gatishmërinë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces të rëndësishëm. Procesi duhet të konkludohet me njohje të ndërsjellë dhe me respektim të integritetit territorial të Kosovës dhe rendin kushtetues”.

Gjatë intervistës, Osmani u pyet edhe për deklaratat e Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila pati thënë se viktimat e luftës në Kosovë janë të zhgënjyera nga sistemi ndërkombëtar i drejtësisë.

“Unë jam plotësisht dakord me Vasfijen. Sistemi i drejtësisë, brenda dhe jashtë vendit, ka dështuar në të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Dhënia e drejtësisë për viktimat tona të luftës është një parakusht i paqes dhe pajtimit të qëndrueshëm. Është koha që udhëheqja në Serbi të ndalojë së mohuari krimet e kryera në Kosovë dhe gjetkë në Jugosllavi. Unë besoj se llogaridhënia qëndron fort në pragun e Serbisë. Derisa qeveria serbe të mos përballet me të kaluarën e saj dhe realitetin e saj, ne nuk mund të marrim drejtësi përmes ndonjë sistemi. Është koha që udhëheqja në Serbi të largohet nga “mentaliteti i Millosheviqit” dhe të ndalojë së mohuari krimet e kryera në Kosovë dhe gjetkë në Jugosllavi”.

Në mes tjerash, Ushtruesja e detyrës së presidentes tha se do të bashkëpunojë me institucionet ndërkombetare dhe aleatët për të siguruar një program vaksinash antiCOVID, sa më shpejt që është e mundur.

“Unë jam e etur për të punuar me institucionet ndërkombëtare dhe aleatët tanë për të siguruar që ne të kemi një program vaksinash sa më shpejt të jetë e mundur”.