Fjalë Kyçe

Osmani: Do të aplikojmë në Këshillin e Evropës

Osmani: Do të aplikojmë në Këshillin e Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet për të aplikuar në Këshillin e Evropës.

Presidentja ka zbuluar se tashmë janë në hapa final për aplikim dhe pret përgjigje pozitive pasi që shumica e kanë pranuar Kosovën.

“Qytetarët të jenë të qetë, të gjitha përgatitjet e nevojshme janë duke u bërë, po punohet në radhë të parë në strategjinë e cila do të përcaktoj se cilat do të jenë shtetet të cilat do ta shtyjnë përpara pasi duhet të jenë dy ose tri shtete që e sponsorizojnë në aspektin e mbështetjes anëtarësimin tonë dhe si do të punohet me shtetet anëtare”, ka thënë Osmani në Context.

“Por vendimi final merret nga Këshilli i Ministrave dhe aty më shumë se 2/3 tashmë e kanë njohur Kosovën. Ne duhet të sigurohemi që të gjithë ato shtete që e kanë njohur Kosovën të jenë prezent dhe të votojnë pro”, ka thënë Presidentja e Kosovës.

“Para se të merret ai vendim në Këshillin e Ministrave është një votim në Këshillin Parlamentar ku po punojnë shumë deputetët tanë që një kohë të gjatë dhe të gjitha përpjekjet e të gjitha institucioneve do të bashkohen në këtë drejtim”, tha ndër të tjerash Vjosa Osmani.

Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Organizata ka 47 shtete anëtare dhe vepron me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë euro.