Fjalë Kyçe

Osmani: Duam marrëveshje me Serbinë, por asnjëherë duke prekur kufijtë

Osmani: Duam marrëveshje me Serbinë, por asnjëherë duke prekur kufijtë

Vjosa Osmani, kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, tashmë deputete e zgjedhur, në një intervistë për austriaken “Der Standard”, ka thënë se Kosova është e gatshme të arrijë marrëveshje me Serbinë, por asnjëherë duke prekur kufijtë.

Në këtë intervistë, Osmani flet edhe për koalicionin e mundshëm qeverisës me Vetëvendosjen, partinë që i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, duke i përmendur prioritetet që ka ky program.

Thotë se do t’i hetojnë të gjithë zyrtarët, duke filluar nga sistemi i drejtësisë, ku përfshihen Policia dhe shërbimet sekrete. Osmani thotë më tej se “nëse krijohet një sistem gjyqësor i lirë dhe i pavarur nga ndikimet politike dhe kriminale, nëse kemi një forcë policore dhe një shërbim inteligjent që janë profesionalë dhe të pavarur, atëherë besoj se kemi bërë ndryshimin më të madh në historinë e vendit tonë”.

Osmani tha se do t’ua ndalin pensionet edhe veteranëve të rremë të luftës së UÇK-së.

“Nuk do t’ua ndalojmë pensionet veteranëve, por pensionet e gënjeshtarëve. Ky vend nuk mund të zhvillohet duke mashtruar. E dimë se sa e vështirë dhe e rrezikshme mund të jetë, por shumë më e vështirë dhe më e rrezikshme për vendin dhe qytetarët tanë është që të mos bëjmë asgjë për këtë çështje. S’na kanë zgjedhur për t’u ulur e shikuar e as për t’u frikësuar nga zemërimi. Na kanë zgjedhur sepse populli në Kosovë besoi se një gjeneratë krejtësisht e re politikanësh mund të jetë mundësi e mirë për të adresuar këto çështje”, deklaroi deputetja e LDK-së, transmeton Koha.net.

Osmani thotë se Kosova është e gatshme të arrijnë një marrëveshje finale me Serbinë, por thotë se “jemi krejtësisht kundër shkëmbimit të territoreve, ndarjes së Kosovës, apo formave tjera të ndryshimit të kufijve, sepse kjo jo vetëm që do të rrezikonte integritetin territorial të Kosovës, por edhe shtetësinë e saj”.

“Sepse territori është një prej elementeve kryesore të shtetësisë. E kemi luftuar këtë ide për dy vjet e gjysmë kur presidenti i Serbisë e diskutoi fshehurazi atë ide me presidentin e Kosovës (Hashim Thaçi, shënim i redaksisë). Ai mund të flasë me veten dhe të vazhdojë të ëndërrojë. Por me këtë qeveri, pavarësisht se kush insiston, ide të tilla nuk do të shkojnë tutje. Në anën tjetër, normalizimi nënkupton që njerëzit duhet të kenë marrëdhënie normale. Sikurse edhe në të ’90-tat, Serbisë nuk i intereson për popullin, por është e interesuar vetëm për territor. Është koha për serbët në Kosovë që të kuptojnë se ne jemi liderët politikë që përfaqësojmë interesat e tyre. Dëshirojmë të jetojmë në një Kosovë ku ata ndihen të sigurt dh mund të jetojnë jetë të suksesshme”, ka thënë Osmani për austriaken “Der Standard”.

Ajo thotë se qytetarët shqiptarë dhe serbë në Mitrovicë nuk kanë përfituar asgjë nga dialogu deri më tani në këto gjashtë vjet e gjysmë, dhe thotë se kjo duhet ndryshuar.

“Dialogu s’ka nisur për t’ia ruajtur apo ndërtuar karrierën presidentëve të të dyja vendeve apo për t’i bërë ata miqtë më të mirë. Duhet sqaruar këtë njerëzve se është me rëndësi që të arrihet përfundimisht një marrëveshje me Serbinë. Marrëveshjet mund t’i integrojnë njerëzit në Kosovë, t’i lejojnë të jetojnë bashkë dhe të krijojnë prosperitet ekonomik. Kemi thënë tash e një kohë të gjatë se dialogu na është imponuar dhe komuniteti ndërkombëtar po na detyron ta bëjmë atë”, theksoi ish-kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani.

Deputetja e zgjedhur shfaq besimin se marrëveshja me Serbinë mund të arrihet “nëse komuniteti ndërkombëtar ndalon së trajtuari Vuçiqin dhe Serbinë si fëmijën e llastuar të Evropës”.

“Është ai vendi që destabilizon pjesën tjetër të rajonit dhe nuk duhet shpërblyer me hapje të kapitujve negociues derisa nuk kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore. BE-ja duhet të pranojë realitetin se nën drejtimin e Vuçiqit, Serbia e ka afruar Rusinë shumë më shumë se më parë, si ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht”, deklaroi ajo, transmeton Koha.net.

Osmani, duke u ndalur tek çështje e vizave, thotë se është hipokrite që Venezuela ka liberalizim vizash me BE-në, “por jo edhe Kosova e vogël”.

Ajo është shprehur e bindur se liberalizimi i vizave mund të jetë në agjendë nën Presidencën kroate të BE-së, që do ta ketë në pjesën e parë të 2020-tës.

Sipas deputetes Osmani, Kosova s’ka pasur suksese përderisa nuk e ka pasur SHBA-në në krah, ndërsa shton se Kosova duhet përqendruar më shumë në anëtarësim në NATO sesa në BE.