Fjalë Kyçe

Osmani e Hovenier diskutojnë planin e tranzicionit për rregulloren e BQK-së

Osmani e Hovenier diskutojnë planin e tranzicionit për rregulloren e BQK-së

Plani i tranzicionit për zbatimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës ka qenë temë e takimit të sotëm që presidentja Vjosa Osmani ka pasur me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Sipas njoftimit të Presidencës, e para e shtetit e ka pritur në takim të rregullt ambasadorin amerikan, e ku u diskutua për “zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në propozimet të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së BQK-së”.

“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për sovranitetin, kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në mes tjerash, në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin për sa i përket agjendës ndërkombëtare në muajt në vijim si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.