Fjalë Kyçe

Osmani godet Kurtin për Elez Blakajn: Kjo është logjikë e Prontos, s’ke të drejtë ta bësh dikë prokuror

Osmani godet Kurtin për Elez Blakajn: Kjo është logjikë e Prontos, s’ke të drejtë ta bësh dikë prokuror

Prokurori i larguar nga Kosova për në SHBA, Elez Blakaj, u bë shkak i përplasjes së parë në mes të kandidatëve për kryeministër nga LDK-ja e Vetëvendosja.

Derisa Albin Kurti tha se do ta kthejë në Kosovë Blakajn nëse zgjidhet kryeministër, si dhe do ta emërojë kryeprokuror, sot në një paraqitje kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se një gjë e tillë përveç se është jokushtetuese, është edhe e rrezikshme. Të njëjtën ide ajo e ka quajtur logjikë të “Prontos”, raporton Gazeta Express.

I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, në një takim me qytetarët e Podujevës, derisa foli për reforma të drejtësisë tha se do ta zbatojnë Vettingun.

Tutje, ai premtoi se prokurorin Elez Blakaj të ikur në Amerikë pas kërcënimeve vitin e kaluar do ta kthejnë në Kosovë.

 “Prokurorin Blakaj do ta kthejmë në Kosovë. Atë do ta bëjmë Kryeprokuror të Shtetit dhe nuk do të guxojë askush ta kërcënojë”, ka thënë ai.

Por, kjo deklaratë po shihet me një sy tjetër nga kandidatja e LDK-së për pozitën e kryeministrit.

Në një paraqitje para mediave, Vjosa Osmani ka kritikuar ashpër këtë ide të Kurtit, derisa të njëjtën e ka quajtur logjikë të ‘Prontos’.

“Për mua është e pakonceptueshme se si sot ka liderë politikë dhe kandidatë për kryeministër të cilët thonë se unë kam vendosë që filan fistekin ta bëjë prokuror. Kjo leje që është jokushtetuese por është edhe e rrezikshme”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, nuk ka të drejtë asnjë kryeministër të vendosë se kush të bëhet kryeprokuror.

“Është taman logjikë e Prontos, është logjika e njëjtë. Në rregull, unë po e hjek këtë prokuror, nuk ka të drejtë një kryeministër të vendosë kë ta bëjë kryeprokuror as nuk duhet të përzihet”, tha ajo.

“Detyra e një qeverie është të krijojë kushte të tilla që asnjë politikan të mos kërcënojë, të krijojë kushte ku në gjykata ka mjaftueshëm njerëz profesionistë. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë vendosë aty nga dora e krimit. Ne nesër nuk do të bashkëqeverisim me parti të tilla”, ka deklaruar Osmani.