Fjalë Kyçe

Osmani i thotë Scholz e Macron që liberalizimi i vizave është e rëndësishme të ndodhë brenda gjashtë muajsh

Osmani i thotë Scholz e Macron që liberalizimi i vizave është e rëndësishme të ndodhë brenda gjashtë muajsh

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një takim trepalësh me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Në këtë takim, presidentja Osmani theksoi rëndësinë që çështja e liberalizimit të vizave të mbyllet përbrenda presidencës çeke në BE, që pritet të përfundojë brenda gjashtë muajsh.
Kështu bëhet e ditur në një komunikatë njoftuese të takimit trepalësh nga Zyra e Presidencës, takim ky i mbajtur në kornizat e samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian.

“Presidentja Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Francën dhe Gjermaninë, si aleatë të fuqishëm të Kosovës në kontinentin evropian”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, sipas presidencës, Osmani ka potencuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës.

Përveç tjerash, Osmani ka biseduar me Scholz e Macron edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku kjo e para deklaroi se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive dhe se kërkon që marrëveshja përfundimtare ta ketë njohjen e ndërsjellë në mes.