Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka thënë se propozimi i LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse ishte në shtator të vitit të kaluar, ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar dhe vetëm zgjedhjet e reja janë zgjidhje.
Osmani, në RTV Dukagjini, ka thënë propozimi për qeveri gjithëpërfshirëse ishte në kohën kur nuk kishte dokumente të prodhuara në Bruksel.
“Sot kemi rrethana ndryshe. Ne besojmë se Thaçi ka shkuar shumë larg edhe pse nënshkrimet ende nuk janë dhënë, por dokumentet ekzistojnë. Këto nuk janë vetëm llafe të kafeve, por na janë thënë nga zyrtarë të lartë ndërkombëtarë”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së ka thënë se dokumenti njëfaqësh mendohet se ka 10 deri në 12 pika dhe nuk është aspak i favorshëm për Kosovën.
“Sa e kuptoj unë që na është thënë nga zyrtarët ndërkombëtarë dokumenti flet për një pajtim që të ketë korrigjim të kufijve dhe i autorizon ekipet që të punojnë në terren”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Osmani ka thënë se edhe çështja e Ujmanit dhe Trepçës do të përmenden në këtë dokument.
“Është diskutabile sa i përket çështjes së njohjes. A do të jetë njohja eksplicite apo implicite, apo do të flitet për kufi shqiptaro-serb, që nuk është e njëjtë si njohja e Kosovës”.
Deputetja e LDK-së ka thënë se më nuk ka kuptim qeveria gjithëpërfshirëse, pasi sipas saj këto zhvillime nuk i japin më kuptim këtij nocioni.
“Legjitimitet do të kenë vetëm zgjedhjet e reja parlamentare. Institucionet nuk kanë marrë besimin për të biseduar për ndryshim të kufijve”, tha Osmani.