Fjalë Kyçe

OVL e UÇK-së: Gjykata Speciale e njëanshme, nuk përjashtohen protestat

OVL e UÇK-së: Gjykata Speciale e njëanshme, nuk përjashtohen protestat

Gjykata Speciale po vazhdon punën.

Specialja po vazhdon të dërgoj ftesa për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani në formë të shkruar.

Deri më tani, një numër i madh i të ftuarve janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.

Zëdhënësi i dhomave të Specializuara në një përgjigje për lajmi.net ka treguar se janë duke vazhduar hetimet dhe pritet që të ftohen edhe një numër i madh i njerëzve.

E me këtë, të pakënaqur janë shprehur nga Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së.

Në një prononcim për lajmi.net, kryetari i kësaj organizate është shprehur se janë pro drejtësisë, por kundër asaj që është e njëanshme.

Lajmi.net ka pyetur Gucatin nëse OVL e UÇK-së do të reagoj kundër ftesave të kësaj gjykate, derisa përgjigja e Gucatit ishte se do të presin deri në ngritje të aktakuzave.

Ai gjithashtu është shprehur se është padrejtësi kjo që po bën Gjykata Speciale për arsye se po fton të dyshuar vetëm nga Kosova.

“Nuk është risi, unë edhe më herët kam thënë se pritet të ftohen shumë ish-luftëtarë të UÇK-së. Unë gjithmonë kam thënë se kjo është një padrejtësi e madhe për arsye se po ftohen vetëm nga Kosova dhe asnjë nga Serbia”, është shprehur Gucati.

Madje, sipas informacioneve të avokatëve të akredituar, numri më i madh i dëshmitarëve vjen na Serbia, ndërkaq shumica prej tyre nuk e kanë bërë publike se janë thirrur nga Specialja.

I pyetur nëse do të reagojnë si shenjë pakënaqësie ndaj Gjykatës Speciale, Gucati ka përsëritur se nuk përjashtojnë mundësinë e protestave.

“Kur të fillojë ngritja e aktakuzave, nuk përjashtohet mundësia e protestave”, është shprehur Gucati.

Gjykata Speciale ka intervistuar edhe disa figura të profilit të lartë në Kosovë si Sami Lushtaku, Sylejman Selimi e Rrustem Mustafa.