Fjalë Kyçe

OVL-ja e UÇK-së paralajmëron protesta nëse nuk rriten pensionet e veteranëve krahas pagës minimale

OVL-ja e UÇK-së paralajmëron protesta nëse nuk rriten pensionet e veteranëve krahas pagës minimale

Paga minimale që parashihet me planin e Qeverisë Kurti të rritet nga 170 euro në 250, pritet të sjellë pakënaqësi te krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së. Kjo për arsye se rritja e pagës minimale do duhej të kishte ndikim edhe te rritja e pensioneve të veteranëve të UÇK-së, që dikur u parapa me Ligjin për Veteranët. Megjithatë, ministri i Ministrisë së Financave, Hekuran Murati, nuk ka premtuar rritje të pensioneve për veteranët.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se nuk njohuri për këto ndryshime ligjore. Ai thotë se Ligji e qartëson që veteranët s’mund t’i kenë pensionet më të vogla se paga minimale, dhe sipas tij një ndryshim i ligjit do i detyronte veteranët të organizojnë protesta.

“Nuk mundet me u ndarë, sepse me ligj është e parashikuar që veterani e ka pensionin jo më të vogël se paga minimale. Në momentin që rritet paga minimale në Kosovë, rritet edhe pensioni i veteranit. S’është dashur të ndryshojë ligjin askush, qeveria e rritë pagën minimale, veteranit i rritet pensioni. Ligjin nuk e ndryshon Qeveria, por Kuvendi. Ligji e thotë që veterani nuk mund të ketë pensionin më të vogël se pagën minimale. Nëse ndryshohet ligji, veteranët i bëjnë protesta qeverisë. Pse ta ndryshojnë, e veç veteranët po u dashka me vuajt në këtë drejtim a dhe të kenë pasoja. Por, nuk ka thënë askush që do ta ndryshojë ligjin”, thotë Klinaku për KSP.

Ndërsa, dy ish-ministrat e Ministrisë së Financave, Bedri Hamza dhe Hykmete Bajrami kanë thënë që rritja e pagës minimale është e mirëseardhur, mirëpo sipas kjo do prekte më pas edhe Ligjin e Veteranëve.

“Ngritjen e pagës minimale keni premtuar diçka tjetër, tash thoni se do të ngritët në 250 euro. Bënë, mirë është kjo, por kjo kryeministër Kurti, ka kosto shtesë indirekt se i prek ligjet tjera 36 milionë euro në baza vjetore. Nuk i keni të planifikuara”, thotë Hamza.

Bajrami ka kërkuar ta di se a do ta rriten edhe pagesat e veteranëve me rritjen e pagës minimale në 250 euro.

“Rritja e pagës në 250 euro për muaj kur do të bëhet kjo? A do të rriten pagesat e vesternëve dhe kur? Edhe veteranët edhe qytetarët sidomos ata të punuar në sektorin privat që janë rreth 240 mijë po presin se kur ky vendim do të hyjë në fuqi”, ka thënë Bajrami.

Ndaj tyre ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i cili thotë se ka zbuluar një paradoks nga ish-Qeveria LDK-PDK (2017), e cila sipas tij ka shfuqizuar nenin 18 të Ligjit për veteranët që thirret në pagën minimale.

Ministri Murati lë të kuptohet se nuk do të ketë rritje të këtyre pensioneve në kuadër të rritjes së pagës minimale.

“Është e çuditshme se si këta dy ish-ministra, njëri nga PDK-ja dhe tjetri nga LDK, mos ta kenë informatën se cilat ligje janë në fuqi dhe cilat nene janë në fuqi e cilat jo. Madje, ku kanë qenë në qeveri, bashkë në koalicion e kanë shfuqizuar po atë nen i cili thirret në pagën minimale për pagesat për veteranë. Është fjala për nenin 18 të Ligjit për veteranët të luftës së UÇK-së i cili është shfuqizuar në vitin 2017 nga qeveria PDK-LDK. Është prezantuar prej qeverisë tuaj aso kohe, pra është shumë jo serioze kur kemi ish-ministra të tillë, tani deputetë, që bëjnë supozime të tilla edhe bëjnë kritika nga pozicione të tilla pa i pasur të gjitha informatat”, thotë Murati.

Ligji për veteranët ka hyrë në fuqi në vitin 2014, ndërsa ndryshimet ligjore janë bërë në fund vitit 2016, ndërsa në gazetën zyrtare është publikuar më 2017.

Aktualisht mbi 30 mijë veteranë të luftës së fundit marrin pensione nga buxheti i shteti ose mbi 60 milionë euro në vit. Për këtë kategori, ka pasur edhe proces gjyqësor.