Fjalë Kyçe

Pacientët ankohen për pasojat e koronavirusit

Pacientët ankohen për pasojat e koronavirusit

Ndonëse numri i të infektuarve nuk ka pësuar rritje gjatë majit, shtim ka pasur në kërkesën për trajtim të pasojave të koronavirusit.

Valbon Krasniqi, drejtor i SHSKUK-së, ka thënë se ka rritje në kërkesë për spitalizim të personave që e kanë kaluar COVID-19 dhe kanë pasur komplikime shëndetësore.

“Ne po ballafaqohemi, gjithnjë e më shumë edhe me kërkesa për shërbime spitalore edhe për pacientët që e kanë kaluar COVID-in dhe që kanë pasur komplikime ose ndërlikime, sidomos në organet e mushkërive. Nga një numër p.sh i 65 pacientëve që i kemi të shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë i kemi negative sa i përket testit të PCR-it për COVID, mirëpo për shkak të gjendjes së përgjithshme ata vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tutje në Klinikën e Pulmologjisë ose janë liruar më herët dhe përsëri janë kthyer”, ka thënë ai.

Sa u përket masave të reja, ai ka thënë se ato janë në përputhje me situatën epidemiologjike.

E në kryeqytet, pavarësisht se masat e reja hyjnë në fuqi nga e hëna, shumë qytetarë janë parë pa maska. Nga 31 maji maska vazhdon të jetë obligative në ambiente të brendshme, përveç në rastet e ecjes vetëm në ambient të jashtëm, vrapimit, ciklimit dhe qëndrimit në veturë.

Krahas heqjes së pjesërishme të maskave, ndër masat e reja anti-Covid të miratuara nga Qeveria të premten është edhe lejimi i grumbullimit të 50 personave në ambient të mbyllur me 1.5 metër distancë e 100 personave nëse ambienti është i hapur.

Orari i gastronomisë po ashtu pritet të zgjatet deri në orën 23:00. Lehtësimet shtrihen edhe në fusha të tjera, ku institucionet kulturore e bibliotekat lejohen ta mbushin 50 për qind të vendeve të tyre.

E në 24 orët e fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka raportuar për një rast të vdekjes si pasojë COVID-it. Po ashtu, nga testimi i 3 mijë e 25 mostrave, janë regjistruar 28 raste të reja të infektimit.