Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se rrugëtimi i vendit nuk ishte i lehtë andaj duhet të punohet për forcimin dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, duke u dhënë motiv që të mos largohen nga vendi.
“Nga zemra uroj të gjithë shqiptarët, kudo, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nesër po bëhen 14 vjet kur ne shpallëm pavarësinë, të cilën e kishim ëndërruar kaq gjatë. Rrugëtimi nuk ishte i lehtë dhe vazhdon të mos jetë, por duhet të punojmë të gjithë së bashku për të forcuar vendin tonë dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve. Duke u dhënë motiv dhe vullnet të qëndrojnë në vend, dhe jo të ëndërrojnë largimin. Kjo ishte edhe ëndrra e heronjve tanë, të cilët dhanë edhe jetën për Kosovë, e të cilët ne sot dhe përgjithmonë duhet t’i kujtojmë”, ka shkruar ai.
Pacolli i cili ishte deputetë edhe në Kuvendin që shpalli pavarësinë, firmën e tij në Deklaratën e Pavarësisë e konsideron më të bukurën në jetë.
“Nga të gjitha dokumentet që kam firmosur në jetë, Deklarata e Pavarësisë vazhdon të jetë më e bukura e jetës sime. Urime gjithëve kjo ditë e madhe!”, ka shtuar ai.