Në ditën e dytë të punimeve të samitit 30-të, të Forumit Crans Montana, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte panelist dhe mbajti fjalim, ku tha se Republika e Kosovës është gati për t’u bërë pjesë e OKB-së me rolin e saj konstruktiv në rajon prej 20 vjetësh që ka fituar lirinë e saj.
Në kuadër të prezantimit, zëvendëskryeministri Pacolli prezantoi të arriturat dhe sfidat e Kosovës në fushën e integrimit, demokratizimit, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, sundimit të rendit e ligjit, ekonomisë.
“Nga ky forum i respektuar i drejtohem miqve tanë spanjollë: Kosova nuk ka lidhje me Katalonjën, sepse ne kemi dalë nga një periudhë e gjatë represioni kolonial, i cili kulmoi me gjenocid në vitin 1999”, tha Pacolli.
Siç njofton komunikata, ai njoftoi audiencën me të arriturat e Republikës së Kosovës nga shpallja e pavarësisë, njohur ndërkombëtarisht nga 116 shtete, ashtu dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Në vazhdim të fjalimit të tij në këtë samit, ministri Pacolli, audiencës se përfaqësuar në nivel ministrash dhe strukturave të larta qeverisëse të shumë vendeve të botës, ju drejtua duke i njoftuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Ai ftoi miqtë afrikanë që ende nuk e kanë bërë – të njohin Kosovën dhe të vendosin marrëdhënie bashkëpunimi në të gjitha fushat, madje dhe në atë universitare.
Sa i përket aspektit ekonomik ministri Pacolli i bërë ftesë të gjithë përfaqësuesve të vendeve të botës që janë pjesë e këtij Forumi që të konsiderojnë Kosovën si një destinacion relativisht i ri për investitorët e huaj.
“Vendi im ofron mundësi të mëdha për investime dhe një klimë investimi gjithnjë e më të favorshme”, tha Pacolli.
“Forumi i Crans Montanës, këtë vit me iniciativën e Kosovës do të zhvillohet në Prishtinë, duke e shndërruar Kosovën në një adresë globale të paqes dhe dialogut mes akterëve të ndryshëm shtetërorë apo socialë anembanë botës”, thuhet në komunikatë.