Fjalë Kyçe

Pal Lekaj para gjyqit në Gjakovës

Pal Lekaj para gjyqit në Gjakovës

Pasi që Gjykata e Apelit ka kthyer në rivendosje rastin e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerëve, për vepra që ndërlidhen me korrupsion, Gjykata e Gjakovës për këtë rast ka caktuar datën 3 janar. Lajmin e ka konfirmuar gjyqtari i rastit Shaqir Zika.

Prokuroria pretendon se këto vepra janë konsumuar në kohën kur ministri Lekaj ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës, e bashkë me Ismet Isufin, Pashk Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin, Dafina Thaqin dhe Veli Hajdaragën, kanë manipuluar me shpërndarjen e subvencioneve.

Mirëpo, Gjykata e Apelit rastin ku akuzohet ministri Lekaj bashkë me 6 persona të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e ka kthyer në rivendosje. Për veprën penale me të cilën ata ngarkohen Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Ndërsa sa i përket veprës tjetër të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës, për të cilën edhe Gjykata e Gjakovës e kishte hedhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën e ka vërtetuar edhe Apeli.

Kundër vendimit të Gjykatës së Gjakovës, avokatët e të akuzuarve ishin ankuar në Apel, pasi që Gjykata kishte refuzuar kundërshtimet e aktakuzës dhe provave nga ana e tyre. Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashk Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat që u ngarkohen. Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione përmes kompanisë “UNION-VL” në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione të shmangies nga tatimi.