Fjalë Kyçe

Palët dakordohen që konferenca e radhës ndaj Shalës të mbahet në mes të shtatorit

Palët dakordohen që konferenca e radhës ndaj Shalës të mbahet në mes të shtatorit

Ka përfunduar konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj Pjetër Shalës, i akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime gjatë luftës. Përpos çështjeve teknike, palët kanë diskutuar për konferencën e ardhshme statusore, e cila thuhet se do të mbahet në mesin e shtatorit, pas përfundimit të pushimit veror.

Gjykatës i procedurës paraprake, Nikola Giju, ka deklaruar se përpos çështjeve urgjente, gjatë periudhës së pushimit nuk do të mbahet asnjë seancë gjyqësore. Në anën tjetër, mbrojtja e Shalës, ka kërkuar që konferenca e ardhshme statusore të mbahet më 13 shtator të këtij viti 2021.

“Kërkojmë që të organizohet në gjysmën e dytë të shtatorit. Unë do të kem një ndërhyrje shëndetësore në hyrje të shtatorit”, ka deklaruar avokati Jean-Louis Gillisen.

Nga Zyra e Prokurorisë Speciale është thënë se pajtohen që konferenca e radhës të mbahet në shtator.

Gjyqtari, në pajtim me palët, ka urdhëruar që mbrojtja duhet dorëzuar deri më 12 korrik të këtij viti mocionin parak, derisa pala e prokurorisë duhet t’i kthejë përgjigje një ditë më pas.

Për kundërpërgjigje, mbrojtja ka afat deri më 30 gusht.

Nga Administrata është bërë me dije se për shkak të përmirësimit të situatës me koronavirus, janë duke i rishikuar masat e vendosur. Sipas saj, familjarët e të pandehurve, që deri më tani kanë kontaktuar me të akuzuarit për Zoom-it, do mund t’i takojnë ata fizikisht.

Në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara, Shala, i njohur gjatë luftës si “Ujku”, dyshohet se së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, kishin mbajtur të izoluar në fabrikën e metalit në Kukës disa persona pa proces ligjor të rregullt, duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

“Ata u mbajtën në qeli të improvizuara të ruajtura nga roja të armatosura, u prangosën dhe u lidhën, iu morën dokumentet e udhëtimit dhe paratë dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzën e redaktuar.

Shala dyshohet se ndaj të ndaluarve kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike duke i kërcënuar me vdekje, duke i frikësuar dhe duke i marrë në pyetje. Veprat e lartpërmendura dyshohet se ishin kryer mes 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999.

“Të ndaluarit në fabrikën e metalit në Kukës rriheshin thuajse përditë. Pjetёr Shala nuk mori asnjë masë për parandalimin ose kufizimin e dhunës, ose ndryshe për të ndihmuar ose për të siguruar trajtim njerëzor të të ndaluarve”, thuhet tutje.