Fjalë Kyçe

Palmer fton opozitën të jetë në Kuvend kur votohet Presidentja

Palmer fton opozitën të jetë në Kuvend kur votohet Presidentja

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, si dhe përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ka thënë se opozita e Kuvendit të Kosovës duhet të qëndrojë në Kuvend kur të votohet presidenti i ri në mënyrë që të sigurohet kuorumi.

Kjo sepse sipas tij, gjëja e fundit që i duhet Kosovës janë zgjedhje të tjera. Ai gjithashtu tha se opozita duhet të jetë lojale ndaj qytetarëve të saj dhe të veprojë me përgjegjësi ndaj shtetit.

“Sa i përket zgjedhjeve për presidencë, ne mendojmë se ato parti që do të jenë në opozitë, të veprojnë me përgjegjësi si opozitë lojale – lojale jo ndaj qeverisë, por lojale ndaj shtetit. Të bëjnë punën e tyre, të jenë të pranishëm, të sigurojnë që ka kuorum për të votuar dhe që institucionet të mund të funksionojnë. Gjëja e fundit që i duhet Kosovës janë zgjedhjet tjera. Kosovës i duhet një qeveri, një president dhe rrugëtim përpara drejt Evropës”, ka deklaruar Palmer në Dukagjin.

Tutje, Palmer theksoi se do të donte të shihte një qeveri të fortë, partnere e mirë e SHBA-së.

“Do të dëshironim të shohim qeveri të formuar, qeveri që do të jetë partnere e mirë, e fortë për Shtetet e Bashkuara. Nuk kemi të parapëlqyer në politikën e të tjerëve; punojmë me qeveritë që dalin nga zgjedhjet e lira, të drejta e demokratike. Duket që ka rrugë shumë të qartë përpara drejt një qeverie të fortë në Kosovë, që mund të jetë partnere e tillë e Shteteve të Bashkuara”, tha ai.