Fjalë Kyçe

Pandemia nuk ka kaluar ende, BE kërkon të shmangen udhëtimet

Pandemia nuk ka kaluar ende, BE kërkon të shmangen udhëtimet

“Pandemia nuk ka marrë fund ende”, ka thënë Kluge. “Mobiliteti dhe ndërveprimi i shtuar mund të shpijnë drejt përhapjes më të madhe… Të ballafaquar me kërcënimin e vazhdueshëm dhe me paqartësi të reja, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i rimendojmë apo shmangim udhëtimet ndërkombëtare”. Një paralajmërim të tillë Kluge e bëri vetëm një ditë pasi liderët e vendeve anëtare të bllokut evropian janë pajtuar për hapjen e kufijve të tyre për udhëtarët dhe turistët e vaksinuar, si dhe për ata që vijnë nga vendet që cilësohen të kenë pasqyrë të sigurt epidemiologjike.

Vaksinat kundër COVID-19 që aktualisht janë në përdorim nëpër Evropë duket se ofrojnë mbrojtje ndaj secilit variant të ri të koronavirusit, por përparimi i shënuar në rajon vazhdon të jetë “i brishtë” dhe udhëtimet ndërkombëtare duhen shmangur për ta pamundësuar “rishfaqjen e rrezikshme” të rasteve, ka paralajmëruar të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Bilanci zyrtar i rasteve javore në Evropë ka rënë për pothuajse 60 për qind, nga 1.7 milionë në mes të prillit në afro 685.000 javën e shkuar, teksa në rënie është edhe shifra e të vdekurve nga sëmundja, ka bërë të ditur drejtori për Evropë i OBSH-së, Hans Kluge, teksa ka tërhequr vërejtjen se shkalla e përhapjes vazhdon të jetë e lartë në tetë vende të Kontinentit.

“Pandemia nuk ka marrë fund ende”, ka thënë Kluge. “Mobiliteti dhe ndërveprimi i shtuar mund të shpijnë drejt përhapjes më të madhe… Të ballafaquar me kërcënimin e vazhdueshëm dhe me paqartësi të reja, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i rimendojmë apo shmangim udhëtimet ndërkombëtare”, ka raportuar e përditshmja britanike “Guardian”.

Një paralajmërim të tillë Kluge e bëri vetëm një ditë pasi liderët e vendeve anëtare të bllokut evropian janë pajtuar për hapjen e kufijve të tyre për udhëtarët dhe turistët e vaksinuar, si dhe për ata që vijnë nga vendet që cilësohen të kenë pasqyrë të sigurt epidemiologjike. Por, i matur karshi këtij qëndrimi është shprehur eksperti i OBSH-së.

“Liderët evropianë nuk duhet t’i bëjnë të njëjtat gabime që janë bërë po të njëjtën periudhë vitin e shkuar dhe të cilat kanë shpjerë në rishfaqjen e COVID-19 dhe në vënien përsëri buzë kolapsi të sistemeve shëndetësore dhe ekonomike”, ka theksuar ai.

Kluge ka bërë të ditur se varianti i koronavirusit B.1.617, i identifikuar për herë të parë në Indi, është përhapur në të paktën 26 nga 53 shtetet e rajonit, kryesisht nëpërmjet udhëtimeve ndërkombëtare. Eksperti i OBSH-së ka bërë të ditur gjithashtu se vaksinat e miratuara për përdorim deri më tani janë dëshmuar si efikase kundër këtij dhe të tjera varianteve të korronavirusit. Por, meqë vetëm 23 për qind popullatës së rajonit ka marrë deri më tani nga vetëm një dozë dhe 11 për qind nga të dyja kurat e nevojshme, qeveritë dhe qytetarët duhet të vazhdojnë që të jenë të kujdesshëm.

“Vaksinat mund të jenë drita në fund të tunelit, por ne nuk duhet të verbohemi nga kjo dritë”, ka paralajmëruar ai.