Fjalë Kyçe

Paralajmërimi i zymtë: Planeti tokë do të përballet me thatësi, uri dhe konflikte politike

Paralajmërimi i zymtë: Planeti tokë do të përballet me thatësi, uri dhe konflikte politike

Kriza e ndryshimeve klimatike mund të detyrojë shpërnguljen e një miliard njerëzve gjatë 30 vjetëve të ardhshëm. Katastrofat ekologjike do të detyrojnë migrimet e mëdha dhe konfliktet e armatosura të ndodhin shumë më shpesh.

Hulumtimi i kryer nga Instituti i Ekonomisë dhe Paqes në Sydney të Australisë, ka parashikuar se 1.2 miliard njerëz do të zhvendosen deri në vitin 2050. Asnjë shtet nuk do të mund t’i ikë krizës klimatike, mirëpo shtetet e varfra do të goditen më së rëndi.

Instituti australian ka vlerësuar se mungesa e ujit të pijshëm, pasiguria në ushqim, thatësia, përmbytjet, ciklonet, rritja e temperaturave dhe nivelit të detit, do të jenë disa nga pasojat e krizës së ndryshimeve klimatike.

Më shumë se 1 miliard njerëz nuk janë të informuar për ndikimin e ndryshimeve ekologjike që do të ndodhin në dekadat e ardhshme. Nga kriza klimatike më së keqi do të pësojnë Afrika nënsahariane, Azia Jugore, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore.

Shtetet me burime të mjaftueshme si Amerika Veriore dhe Evropa do të kenë mundësi të menaxhojnë katastrofat, por do të përballen me fluks të madh të refugjatëve klimatikë.

Hulumtimi ka vlerësuar se kriza klimatike do të ketë pasoja sociale dhe politike, të cilat do të detyrojnë njerëzit të ikin nëpër shtetet evropiane.

Deri më tani bota ka 7.8 miliardë banorë. Ky numër pritet të arrijë në dhjetë miliardë deri në vitin 2050. Deri në këtë vit, bota do t’i ketë shterur gati krejt burimet natyrore.

Popullsia pritet të shtohet më së shumti në Afrikë. Kërkesa për ushqim do të rritet deri në 50 për qind ndërkaq 3.5 miliardë njerëz mund të vuajnë nga mungesa e ushqimit.

Furnizimi me ujë do të jetë problem edhe më i madh. Në vitin 2020 janë më shumë se 2.6 miliardë njerëz që përballen me mungesë ekstreme të ujit.

Ndryshimet klimatike kanë rralluar shiun dhe kanë rritur temperaturat deri në ekstrem. Nga i nxehti ka pësuar India. Shteti indian çdo ditë është detyruar të marrë ujë në shtetet fqinje, ndërsa njerëzit kanë pritur me orë të tëra për një shishe ujë.

Vlerësohet se deri në vitin 2040, 5.4 miliardë njerëz ose më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të jetojnë me mungesë ekstreme të ujit. India dhe Kina do të jenë në mesin e shteteve që do të kenë mungesë të madhe të ujit.

Gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar katastrofat natyrore nëpër botë. Ekspertët për një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se këto janë simptomat e përkeqësimit të krizës klimatike.

Zjarret e mëdha në Kaliforni, temperaturat ekstreme në Evropë dhe djegia e Amazonës janë disa prej shembujve të krizës klimatike. Vetëm në muajin shtator, Brazili ka raportuar 8 mijë e 300 zjarre në pyllin e dendur të Amazonës.

Ky numër është dyfish më i lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në fillim të muajit shtator, organizata “GreenPeace” ka mbajtur një performancë në formë proteste në ndërtesën e Komisionit Evropian

Organizata në mbrojtje të ambientit ka fajësuar Evropën për djegien e Amazonës. Sini Eraxha nga kjo organizatë ka thënë se pylli i Amazonës është mbrojtja më e mirë në betejën ndaj krizës klimatike.

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ndihma rreth klimës do të jenë vendimtare në betejën kundër krizës globale, mirëpo raporti australian thekson se njerëzimi ende nuk është vetëdijesuar plotësisht për katastrofën që po e pret, nëse nuk reagon tani.