Fjalë Kyçe

Paralajmërohet grevë edhe nga dy sindikata

Paralajmërohet grevë edhe nga dy sindikata

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) dhe Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Kontrollit Ajror (ShSPKA), kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë.

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) dhe Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Kontrollit Ajror (ShSPKA), njoftojnë të gjithë pasagjerët që fluturojnë për dhe nga Aeroporti i Prishtinës, që nga sot do të ofrojë vetëm shërbim bazik.

Kjo vjen si në shenjë pakënaqësie ndaj mos përmbushjes së kërkesave të Kontrolloreve të Trafikut Ajror në Ligjin për Paga.

Të gjithë aeroplanëve komercial nuk do t’i ofrohet asnjë shërbim shtesë që do të rezultojë me shkurtimin e kohës së fluturimit (si rezultat çdo fluturim do të vonohet së paku 20 minuta në shkuarje dhe në ardhje).

“Ky është vetëm hapi i parë në shenjë proteste i kontrolloreve deri në realizimin e kërkesës tonë të vetme për largimin nga Ligji i Pagave i Agjencisë të Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) i cili është Agjenci me të ardhura vetanake dhe që duhet të qëndroj i pavarur sipas të gjitha praktikave dhe ligjeve të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.

AShNA ka kërkuar nga të gjitha autoritetet relevante (Presidencë, Kuvend, Qeveri) të ndërmarrin hapat e duhur për heqjen e AShNA-s nga Ligji për Pagat, ashtu siç është vepruar me FSK-në dhe AKI-në.

“Ftojmë presidentin që të ushtroj kompetencat e veta të përcaktuara në Kushtetutë dhe ta kthejë Ligjin e Pagave në rishqyrtim, në mënyrë që t’ia japë mundësinë Kuvendit të bëjë ndryshimin e kërkuar në ligj”, vazhdon njoftimi.

AShNA ka paralajmëruar grevë nëse nuk do të përmbushen kërkesat e tyre.

“Nëse nuk përmbushen kërkesat tona, do të detyrohemi që nga ofrimi i shërbimit bazik të kalojmë në hapat më radikal, duke mos përjashtuar edhe grevën që do ta mbyllte të vetmen portë ajrore të Kosovës për trafikun komercial”, përfundon njoftimi.