Fjalë Kyçe

Paralajmërohet rreziku që Kosova të preket nga varianti indian i koronavirusit

Paralajmërohet rreziku që Kosova të preket nga varianti indian i koronavirusit

Mosrespektimi i masave antiCOVID mund ta fusë edhe Kosovën në mesin e vendeve ku ka përhapje të variantit indian të koronavirusit.

Infektologu Sali Ahmeti, duke treguar se pacientët që kanë qenë të prekur nga varianti britanik kanë pasur komplikime më të theksuara, e ka paralajmëruar mundësinë që Kosova së shpejti të preket edhe nga mutacioni indian i virusit.

“Kështu që ne nuk mund të eliminojmë rrezikun që ky variant të jetë së shpejti edhe në mesin tonë. Ne nuk kemi përvoja personale me këtë variant. Përshkrimet nga autorët tjerë nuk e përshkruajnë si variant që jep ndonjë problematikë të veçantë në raport me variantet e mëparshme, sidoqoftë edhe ky përhapet shpejt dhe shkakton sëmundje dhe forma të rënda por që nuk dallojnë nga varianti britanik”, ka thënë ai.

Ahmeti tutje ka kërkuar që të ketë ritëm më të shpejtë të vaksinimit, teksa, sipas tij, masat duhet të lehtësohen gradualisht në mënyrë që të shmanget një valë e re e të infektuarve.

Qasjen e Qeverisë karshi pandemisë e ka kritikuar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka thënë se ekzekutivi i ri po e neglizhon sigurimin e vaksinës antiCOVID.

“E kemi parë një dinamikë të ngadalësuar sa i përket vaksinës dhe profesionistët shëndetësorë kanë hezituar këtë fazën e parë të vaksinohen. Besoj që Qeveria është dashur të ketë parasysh që 24 mijë doza do të përfundojnë shumë shpejt dhe mos marrjen e pjesës së dytë atëherë do të krijohet edhe kjo klimë e disfavorshme në procesin e vaksinimit. Mbi të gjitha do të shihet në diskrepancë qoftë edhe kohore neglizhencë, pa besueshmëri dhe mbi të gjitha dëmton shëndetin publik po mbi të gjitha edhe shëndetin mendor”, ka thënë Zemaj.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë, 5 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19, duke e çuar totalin në 2 mijë e 178. Derisa nga 2 mijë e 944 mostra të testuara në IKSHPK e në laboratorë privatë, 187 kanë rezultuar pozitive.