Fjalë Kyçe

Paraqitet dëshmitari i parë para Dhomave të Specializuara

Paraqitet dëshmitari i parë para Dhomave të Specializuara

Të hënën, më 20 shtator, ka vazhduar gjyqi kundër Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet për krime lufte.

Në po këtë ditë është paraqitur edhe dëshmitari i parë në rastin kundër Mustafës.

Dëshmitarit i është fshehur identiteti për çështje të sigurisë.

Aktakuza kundër Mustafës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.

Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.


Aktakuza ndaj Salih Mustafës

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Gjykatësja Mappie Veldt-Foglia, i ka thënë Mustafës në hyrje të seancës se nuk do t’i lejojë atij gjuhë të papërshtatshme, sikurse herën e kaluar, dhe mund ta largojë nga salla për këtë arsye.

Në fillim të senacës, Mustafa ka kërkuar që të deklarohet, mirëpo gjykatësja nuk e ka pranuar një gjë të tillë.

“Do t’ju kisha dhënë fjalën, por tani për tani kemi një program të organizuar për sot. Do të marrim dëshmitarin dhe më pas në një moment të duhur do t’ju lejoj të thoni atë që doni”, ka thënë Veldt-Foglia.

Më 15 shtator, gjatë seancës së parë gjyqësore, Mustafa e kishte krahasuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar me “zyre të Gestapos” – referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Për një periudhë, seanca ka kaluar në sesion privat.

Prokuroria: Viktimat ishin shqiptarë

Në seancën e parë gjyqësore, të mbajtur më 15 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se viktimat në rastin e Mustafës ishin shqiptarë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar argumentoi se viktimat nuk ishin spiunë, por “shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj dhe prandaj ishin etiketuar si bashkëpunëtorë”.

Mustafa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.