Fjalë Kyçe

Parku i Gërmisë i pastruar nga minat, i sigurt të shfrytëzohet nga qytetarët

Parku i Gërmisë i pastruar nga minat, i sigurt të shfrytëzohet nga qytetarët

Vizitorët e Gërmisë mund ta shfrytëzojnë këtë park në mënyrë të sigurt.

Kjo pasi aty nuk ka më mina të lëna nga pushteti serb në kohën e luftës, të cilat do ta rrezikonin jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Frekuentuesit e kësaj hapësire nuk ndihen të rrezikuar nga mendimi për ndonjë mjet të mundshëm shpërthyes, raporton “038” i KTV-së.

Në Parkun e Gërmisë janë pastruar të gjitha zonat e prekura nga minat dhe mjetet tjera shpërthyese.

Që nga viti 1999 janë pastruar 258 mijë e 902 mera katrorë, ku janë gjetur dhe shkatërruar 375 bomba kasetore, 8 mina anti-personale dhe 3 mjete tjera eksplozive.

“Në të gjitha zonat e pastruara ekziston standardi ndërkombëtar për deminim, i cili është 99.6 për qind siguria në pastrim”, ka thënë Ahmet Sallova, drejtor i Qendrës për Deminim, Ministria e Mbrojtjes.

Sallova bën të ditur se në park nuk ka më mina nga koha e luftës, pos nëse ato lihen aty nga qytetarët.

“Jo vetëm në Gërmi, por në çdo zonë të Kosovës mund të gjenden mjete eksplozive, jo mina apo bomba kasetore, por mjete tjera si granata e të tjera. Ekipet tona hasin çdo ditë mjete të tilla që hidhen prej popullatës në vende të ndryshme. Mirëpo, sa i përket zonave të minuara dhe të bombarduara nuk ekzistojnë”. Zona e Gërmisë është e sigurt dhe mund të përdoret e tëra për rekreacion dhe aktivitete të ndryshme”, shtoi Sallova.

Pjesa e fundit që ka qenë e pasigurt në këtë park, është pastruar në vitin 2013, me ndihmën e KFOR-it suedez, i cili e ka asistuar FSK-në me mjete të blinduara për pastrimin e rrënojave dhe mjeteve eksplozive.

Në gjithë Kosovën, 177 njerëz kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të minave nga lufta e fundit. Ndërsa, numri i atyre me lëndime, është afër 500.