Fjalë Kyçe

Parlamenti Evropian nesër miraton raportin për Kosovën

Parlamenti Evropian nesër miraton raportin për Kosovën

Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon, ka bërë të ditur se nesër Parlamenti Evropian do të miratojë raportin e saj për Kosovën, pasi një gjë të tillë e kishte bërë më herët Komisioni i Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme. Viola von Cramon në një postim në Twitter, po ashtu ka bërë të ditur se debati mbi raportin e saj do të fillojë rreth orës 11:00.

Me 50 vota për, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për politikë të jashtme i PE-së ka miratuar në muajin shkurt raportin për Kosovën, në të cilin u bëhet thirrje edhe një herë pesë shteteve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. Në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane.

Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jo stabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Po ashtu, kërkohet që Kosova të sigurojë reformën e sistemit gjyqësor në mënyrë që ai të jetë më transparent, efikas dhe pa ndërhyrje politike. Në të njëjtën mënyrë, kërkohet edhe reforma e administratës publike.

Anëtarët e PE-së kanë përsëritur thirrjet që raportet e Kosovës me Serbinë të mbetet prioritet dhe kusht për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Ata kanë kërkuar nga qeveritë e të dyja shteteve që të përmbahen nga çfarëdo veprime që mund të pengojnë krijimin e besimit mes palëve, që do ta vinin në rrezik vazhdimin konstruktiv të dialogut. /KP/