Parlamenti Holandës votoi pro propozimit për heqjen e vizave me Shqipërinë për shkak të kriminalitetit të shtuar shqiptar në këtë vend.
Ky votim i hap rrugën qeverisë së Holandës për t’ju drejtuar Brukselit, pasi fjalën e fundit për këtë kërkesë në rikthimin e vizave e ka Bashkimi Europian, raporton TCH.
Ishin 5 parti politike në Holandë që kërkuan votim në Parlament për rikthimin e vizave për Shqipërinë. Partitë që e ndërmorën këtë hap janë: VVD, CDA, PVV, SP, CU; të cilat bashkërisht kanë 92 deputetë nga 150. Partitë VVD, CDA dhe CU janë 3 nga 4 partitë të koalicionit qeverisës.
Kërkesa e tyre kishte këtë përmbajtje:
Pas dëgjimit të diskutimit, duke vënë në dukje se ka pasur një rritje të ndjeshme të kriminalitetit nga mafia shqiptare në Holandë, këto organizata kriminale keqpërdorin mundësitë për të udhëtuar pa viza përmes Evropës dhe me të, të zgjerojë më tej rrjetin e kontrabandës, duke vënë në dukje se pezullimi i vizave për Shqipërinë u detyrua nga kushte të ndryshme, duke përfshirë parandalimin e krimit ndërkufitar, i kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent për liberalizimin e vizave.
Në kërkesën drejtuar Parlamentit partitë holandeze e cilësuan atë si pezullim emergjence vizash pasi shumë shqiptarë që mbërrijnë në Holandë si turistë përfshihen atje në trafikun e drogërave të rënda dhe klandestinëve drejt Anglisë.
Ministri i Jashtëm holandez që vjen nga Partia VVD, dhe Ministri Grapperhaus, që ishte në Shqipëri dhe vjen nga Partia CDA janë shprehur kundër këtij propozimi.
Pozicioni Qeverisë së Holandës për këtë çështje ka qenë jo në favor të rikthimit të vizave, me argumentin se thjesht kërkohet një bashkëpunim më i mirë dhe një shkëmbim informacioni akoma më i thelluar me autoritetet shqiptare.
Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok i tha Parlamentit se ashpërsimi regjimit të vizave është i pavend dhe se do të komplikonte marrëdhëniet me Shqipërinë.