Fjalë Kyçe

Partitë kësaj radhe me premtime më ‘për toke’

Partitë kësaj radhe me premtime më ‘për toke’

Premtimi për liberalizim vizash është bërë i pranishëm në tubimet politike të kandidatëve për kryeministër, që nga pavarësia e Kosovës. Liberalizimi i vizave u bë pjesë e premtimeve edhe për zgjedhjet e 6 tetorit, pikërisht nga kandidati i koalicionit AAK – PSD, Ramush Haradinaj, raporton KTV.

E, pjesë e premtimeve të përsëritshme të partive politike në zgjedhjet nacionale, sipas Demokracisë Plus, janë edhe zhvillimi ekonomik e punësimi i të rinjve.

Jetmir Bakija nga Demokracia Plus thotë se realizimi i këtyre zotimeve është në një shkallë të ulët.

Demokracia Plus ka kërkuar nga kandidatët për kryeministër që të zotohen për shtatë pika të qeverisjes së mirë.

E këtë e kanë nënshkruar deri më tani vetëm Vjosa Osmani e Albin Kurti.

Ndërkaq, sipas Arton Demhasajt nga organizata “Çohu”, këtë vit, premtimet që po i bëjnë kandidatët për kryeministër janë më të realizueshme se ato në të kaluarën.

Fushata zgjedhore zyrtarisht ka filluar këtë të mërkurë. Programin politik që pritet të shpaloset në dhjetëditëshin e fushatës e kanë publikuar deri më tani vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.