Fjalë Kyçe

Partitë nuk përfillin kërkesën që 50 për qind e kandidatëve të jenë gra

Partitë nuk përfillin kërkesën që 50 për qind e kandidatëve të jenë gra

Në listat e kandidatëve për deputetë ka një përfaqësim me vetëm rreth 30 për qind të grave. E nga Demokracia në Veprim kanë thënë se nuk është përfillur kërkesa e tyre nga partitë, për përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave. Lidhur me këtë Rrjeti i Grupit të Grave kanë kërkuar nga votuesit që t’i përkrahin gratë.

Secila nga partitë politike ka futur në garë nga 110 kandidatë për tu bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës. E prej 110 kandidatëve, rreth 30 prej tyre janë kandidate të gjinisë femërore në pothuajse secilën listë të subjekteve politike.

Kjo po shihet si mos përfaqësim i barabartë i grave me burrat. Blerta Aliu nga Demokracia në Veprim, ka thënë se nuk është përfillur kërkesa e tyre për përfshirje të barabartë të grave në lista.

“Ne kemi kërkuar nga partitë politike para se të dorëzohen listat ta përfaqësojnë sistemin 50/50 dhe ta respektojnë ligjin për barazi gjinore. Mirëpo nga ajo që kemi parë deri më tash subjektet politike kanë respektuar ligjin e zgjedhjeve, por nuk duket se kanë kaluar 30 %”, tha për RTV Dukagjinin, Blerta Aliu.

Kurse drejtoresha e Rrjetit të Grupit të Grave, Igballe Rogova, ka thënë se vetë institucionet nuk po i respektojnë ligjet, andaj sipas saj, votuesit duhet t’i përkrahin gratë.

“Shteti demokratik është kur vet ata e zbatojnë ligjin dhe në këtë rast e kanë listën me përfaqësim gjinor në koutën 50%. Ne tash na mbetet që votuesit të marrin në dorë ligjin dhe të implementojnë vet atë. Ne kemi filluar një fushatë “Voto për më shumë gra në parlament”, dhe në këtë fushatë na përkrahë edhe Bashkimi Evropian”, deklaroi Igballe Rogova.

Në legjislaturën e fundit nga gjithsej 120 deputetë, vendi është përfaqësura me 38 gra.