Fjalë Kyçe

Partitë shpërfillin degradimin e mjedisit nga hidrocentralet

Partitë shpërfillin degradimin e mjedisit nga hidrocentralet

Asnjëra parti politike që garon në zgjedhjet e 6 tetorit nuk e ka në programin e saj se çfarë do të bëjë me hidrocentralet që janë ndërtuar e funksionojnë pa leje mjedisore dhe as për synimet që të ndërtohen hidrocentrale të reja në Kosovë.

Përderisa partitë e kanë shpërfillur këtë çështje në program, Qeveria e dorëhequr ka ndërmarrë hapa konkretë që t’i zhvlerësojë vendimet e mëhershme, të cilat i kanë pezulluar licencat për ndërtimin e HC-ve të reja, shkruan sot Koha Ditore.

Të pyetur për qasjen që do ta kenë nëse qeverisin me vendin, katër partitë kryesore kanë thënë se janë kundër ndërtimit të hidrocentraleve të reja, por jo të gjitha janë zotuar se do t’i trajtojnë licencat e lëshuara dhe ato që janë në proces, e që ka dyshime se ka shkelje ligjore në dhënien e tyre.

Valdrin Lluka nga koalicioni nisma-AKR-PD ka thënë se ai është kundër ndërtimit të hidrocentraleve, ndonëse ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, që është bashkëpartiak i Llukës, para pak ditësh ka zhbllokuar pezullimin e licencave për hidrocentrale. Lluka është ministër në detyrë i Zhvillimit Ekonomik e për vendimin e Matoshit ka thënë se është sqaruar vetë ai.

“Personalisht unë si ministër jam kundër hidrocentraleve të vogla, por ato që janë dhënë deri tash normalisht duhet me vazhdu me përfundu. Për ato të rejat unë jam kundër, mirëpo normalisht unë si ministër nuk vendosi për lejet. Për ato vendos rregulltari që është i pavarur e që mbikëqyret nga Parlamenti i Kosovës”, ka thënë ai.

Lluka ka thënë se edhe si parti janë kundër ndërtimit të hidrocentraleve.