Fjalë Kyçe

Pas dëmtimit të trenit të gjenocidit në Han të Elezit, pritet tenderi për kamerat e sigurisë dhe ndriçimit

Pas dëmtimit të trenit të gjenocidit në Han të Elezit, pritet tenderi për kamerat e sigurisë dhe ndriçimit

Në gjendje kaq të mjerueshme, ky tren nuk ishte as në kohën e luftës në Kosovë, kur edhe bartte banorë të vendit, për t’i dërguar në Maqedoni.

I vendosur në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, tanimë nga jashtë shihet pothuajse çdo pjesë e dëmtuar dhe e thyer, e nga brenda është i mbushur me mbeturina e gurë, raporton KTV.

Derisa që nga dita e vendosjes së tij në komunën e Hanit të Elezit, për këtë tren nuk është përkujdesur askush, Jahja Lluka, nga Zyra e kryeministrit, për KTV-në, ka treguar se të hënën pritet të hapet tenderi për vendosjen e kamerave të sigurisë dhe vendosja e ndriçimit në atë pjesë.

E Agim Gashi nga Policia e Kosovës, dega në Ferizaj, përmes telefonit, ka thënë se rasti tani është duke u hetuar dhe se zyrtarë të policisë, herë pas here, kanë shkuar për t’u përkujdesur për këtë muze.

Tutje, ai ka treguar se me 8 nëntor, zyrtarë policorë kanë iniciuar rast për “Dëmtim prone”, pasi që kishin parë se ai ishte dëmtuar.

Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma thotë se nuk kanë ndonjë kompetencë për këtë, por që ka kërkuar nga Zyra e kryeministrit muaj më parë për të vendosur një roje fizike.

Në 20-vjetorin e eksodit, në fshatin Bllacë të Hanit të Elezit, është vënë edhe guri themeltar i Muzeut “Bllaca 99”, për ta përkujtuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.