Ambasada britanike në Kosovë ka thënë se do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet politike, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ambasada e Britanisë së Madhe ka thënë se është në dijeni për ftesën e Haradinajt nga Gjykata Speciale, mirëpo kjo është “çështje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe nuk do të ishte me vend të komentojmë më shumë në këtë kohë”.
Sa i përket mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, zëdhënësi i kësaj ambasade, Samuel Paice, ka vlerësuar se për këtë çështje duhet të vendosin institucionet e Kosovës.
“Kushtetuta e Kosovës qartëson procesin që duhet ndjekur në rastin e dorëheqjes së kryeministrit, dhe për shpalljen e zgjedhjeve te parakohshme. Në përputhje me këtë, kjo është çështje për të cilën duhet te vendosin institucionet e Kosovës”, është thënë ndër të tjera në përgjigjen e ambasadës britanike për REL.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të premten nga pozita që ka pasi ka marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
Gjatë ditës së hënë ai përmes një letre i ka njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e tij.
Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.