Fjalë Kyçe

Pas korrigjimit të kufijve, Thaçi nis të proklamojë idenë e bashkimit kombëtar

Pas korrigjimit të kufijve, Thaçi nis të proklamojë idenë e bashkimit kombëtar

Pas idesë për korrigjim të lehtë të kufirit në veri dhe në lindje të Kosovës, që shumëkush e kuptoi si ide për shkëmbim territoresh, kreu i Kosovës Hashim Thaçi, ka nisur të proklamojë një tjetër ide, atë për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

Pas Hasit të Shqipërisë, ku e tha se dy vendet duhet të bashkohen në një shtet, Thaçi e ka thënë një gjë të tillë edhe në Kosovë. Ka thënë se dy parlamentet, ai i Shqipërisë dhe ai i Kosovës duhet të nxjerrin deklarata me të cilat mundësohet bashkimi. Këto komente i ka bërë derisa ka marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik.

“Po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxirrnin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij”, tha presidenti.

Me këtë rast, Thaçi tha se beteja e Pashtrikut ishte një prej betejave më të lavdishme të UCK-së, një prej betejave më mirë të organizuara krahasuar me madhështinë e projekteve të tjera.

Ai ka ndarë një rrëfim që në atë kohë kishte zhvilluar në selinë e NATO-së me gjeneralin Wesley Clark.

“Ai mu drejtua se të tërat do t’i kalojmë, por një gjë nuk duhet të lejojmë të ndodhë kurrë. Ushtria serbe në asnjë rrethanë, në asnjë moment nuk duhet lejuar të prek majën e Pashtrikut, ajo është e jona dhe ne do ta mbrojmë dhe asnjë ushtar, jo në Pashtrik po as në Zveçan nuk do të mbetet ushtar i Serbisë në territorin e Kosovës. Prandaj, është një e arritur historike që duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Me betejën e Pashtrikut ne çliruam Kosovën, ne fituam partnerët ndërkombëtarë, hapëm rrugën apo mundësinë historike dhe tani jemi në një rrugë të drejtë të konsolidimit dhe forcimit të shtetit, ka pengesa dhe vështirësi plot, para së gjithash prej atyre që nuk kanë qenë entuziastë për lirinë dhe pavarësinë tonë. Por, në të njëjtën kohë ne shprehim mirënjohjen dhe respektin me përulësinë më të madhe ndaj ShBA-ve dhe NATO, këtë mirënjohje me ShBA dhe NATO-n duhet ta kultivojmë tek gjeneratat e ardhshme”, tha presidenti i Kosovës.