Fjalë Kyçe

Pas pezullimit të grevës Sindikata e Shërbyesve Civilë takim me VV

Pas pezullimit të grevës Sindikata e Shërbyesve Civilë takim me VV

Sindikata e Shërbyesve Civilë pezulluan mbrëmë grevën ndërsa sot u takuan me anëtarët e LVV.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu janë takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbyesve Civilë.

Haxhiu e ka konfirmuar takimin nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka thënë se janë njoftuar me kërkesat e shërbyesve civilë, shkruan Gazeta Alo.

Deputetja e VV-së ka shkruar se Ligji i Pagave nuk duhet të votohet, për shkak se nuk i adreson shqetësimet dhe kërkesat e shërbyesve civilë.

“Së bashku me Albinin, takuam përfaqësuesit e sindikatës së shërbyesve civilë, z.Mursel Zymberi dhe z.Arben Emini. U njoftuam se kërkesat e tyre nuk janë përfshirë në draftin e Ligjit për pagat, i cili pritet të votohet në seancën e së shtunës. Theksuan nevojën e Ligjit për paga por që drafti aktual nuk duhet të mbështetet për shkak të mosadresimit të shqetësimeve dhe kërkesave”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje ajo ka thënë se i kanë njoftuar përfaqësuesit e Sindikatës, se do t’i adresojnë kërkesat e tyre.

“Po ashtu u njoftuam për veprimet e tyre të mëtejme. Ne i njoftuam për mundësitë për adresimin e sërishëm të kërkesave dhe shpjeguam qëndrimet tona në raport me administratën”, përfundon postimi i Albulena Haxhiut.

Ndryshe, mbrëmë dy sindikata të shërbyesve civilë, kanë njoftuar pezullimin e grevës deri në votimin e Ligjit për Paga./Gazeta Alo/