Fjalë Kyçe

Pas Samitit të Berlinit, reagon Mustafa ndaj deklaratave të Thaçit dhe Haradinajt

Pas Samitit të Berlinit, reagon Mustafa ndaj deklaratave të Thaçit dhe Haradinajt

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka komentuar Samitin e Berlinit i cili bëri bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor me një ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se dje ka qenë një pritje spekltakulare në Berlin mirëpo që qëndrimet e dy liderëve botëror Merkel dhe Macron për Ballkanin Perëndimor janë të njohura dhe nuk kanë ofruar ndonjë ndryshim.

“Nga pritjet spektakulare, takimi i Berlinit dha rezultate normale për një përbërje të tillë. Dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe.

Nuk ofroi modele dhe nuk përjashtoi modele. Sikurse Kancearja gjermane, Merkel, ashtu edhe Presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë- Serbi”, ka shkruar Mustafa.

Sipas Mustafës nuk ka qenë e pritshme që presidentët e Ballkanit Perëndimor të vendosin për çështjen e Kosovës dhe Serbinë pa ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Nuk ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë. Për këto çështje vendoset në takimet e këtyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së ( pasi të kryhen zgjedhjet ne PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së”, ka thënë Mustafa.

Tutje Mustafa është shprehur se “Deklaratat e Presidentit Thaçi se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyer ata në Kosovë. U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashkë aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë”.

“Është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje. Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë”, ka përfunduar Mustafa.