Fjalë Kyçe

Pas takimit me Jasharajn dhe Flocken, Qeveria: Shtesa prej 50 eurove tejkalon shkallën e inflacionit në vend

Pas takimit me Jasharajn dhe Flocken, Qeveria: Shtesa prej 50 eurove tejkalon shkallën e inflacionit në vend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Drejtoreshën Evropiane të Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim (ETUCE), Susan Flocken, së bashku me përfaqësuesit e Këshillit Grevist, me të cilën ka biseduar lidhur me grevën në arsim.

Në njoftimin e Kryeministrisë nga ky takim thuhet se Kurti ka potencuar rëndësinë e mësimdhënësve për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve, marrë parasysh angazhimin e tyre pedagogjik, emocional dhe psikologjik gjatë dhe pas orarit të punës.

“Nisur nga kjo e në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për mësimdhënësit, Kryeministri Kurti e informoi znj.Flocken se Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për arsim sivjet për 12%. Po ashtu e njoftoi për Pakon për Përballjen me Inflacionin, në vlerë prej 150 milionë euro, e cila ofron mbështetje financiare per punëtorët e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, nëpërmjet shtesës prej 50 euro, minimalisht për të gjithë muajt e mbetur të vitit. Një rritje e këtillë tejkalon shkallën e inflacionit në vend”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u theksua se Qeveria ka proceduar projektligjin për Paga në Sektorin Publik, që ka qenë kërkesë qendrore e kahmotshme sindikale, ndërsa është trajtuar që nga fillimi me prioritet nga Qeveria. Projektligji për Pagat në Sektorin Publik tashmë është në dëgjim publik.

“Nga Qeveria u ritheksua domosdoshmëria që sindikatat të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për ligjin për pagat, ligj ky i cili ka për qëllim të sigurojë barazi dhe trajtim të dinjitetshëm të sektorit publik në vend”.

“Në Projektligjin e ri për paga, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë, ndërsa mësimdhënësit do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë”, u tha në takim.

Gjithashtu thuhet se në takim është potencuar se “pas së paku 30 takimesh ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave, si dhe komunikimit të vazhdueshëm me përfaqësuesit e sindikatave, Kryeministri Kurti, më 13 shtator 2022, ka ftuar dhe pritur në takim Këshillin grevist, me kryetarin dhe anëtarët e këtij këshilli. Në këtë takim, përfaqësuesit e Këshillit Grevist kishin thënë që do të konsultohen me anëtarësinë për çështjet e diskutuara. Përkundër kësaj, menjëherë pas takimit, ata deklaruan për media se greva vazhdon”.

Në këtë pikë, sipas njoftimit, znj.Flocken potencoi rëndësinë e diskutimit të ofertës me anëtarësinë, duke theksuar se vendimmarrja buron nga anëtarësia e sindikatës.

Qeveria theksoi përkushtimin për ndërmarrjen e hapave në drejtim të reformës në sistemin pensional dhe atë të sigurimeve shëndetësore. Po ashtu, Qeveria tashmë është zotuar që tek barnat esenciale do të shtohen 10 milionë euro.

Gjatë takimit u tha se paraprakisht, MAShTI ka adresuar edhe çështje tjera që janë ngritur nga sindikata e Arsimit: si ndarja e 1.7 milionë euro për rreth 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda, buxhet shtesë për mësimdhënësit që konsiderohen tepricë, ashtu që të mos mbeten pa punë. Në vitin 2022, 1600 mësimdhënësve u janë ruajtur normat, ndërkohë që për vitin 2023 tashmë janë planifikuar t’iu ruhen normat 2209 punëtorëve të arsimit.

Qeveria mbetet e përkushtuar për dialog dhe pret reagimin pasues nga Këshilli Grevist, thuhet në njoftim.

Drejtoresha e përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit në Evropë, Susan Flocken, ka deklaruar se nuk është gjetur një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim, edhe pas takimi të sotëm që pati me kryeministrin Albin Kurti.

Flocky në një konferencë për media, ka theksuar se i mbështet të gjithë mësimdhënësit dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman jasharaj, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti dhe me drejtoreshën e Unionit të Sindikatave të Arsimit në Europë, Susan Flocken, tha se pavarësisht përpjekjeve të zonjës Flocken Qeveria nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj.

“Vet fakti që nuk ka asnjë lëvizje as pas kësaj vizite të zonjës Flocken, nuk ka marrëveshje. Kemi pritur shumë nga kjo vizitë”, tha Jasharaj.