Fjalë Kyçe

“Pazaret e Thaçit për anëtarët e KQZ-së”

“Pazaret e Thaçit për anëtarët e KQZ-së”

Komisioni Qendror Zgjedhor ka rreth 1 vit që ka mbetur jofunksional, pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk i ka dekretuar ende anëtarët e partive politike. Ndërkaq, kërkesa e tij drejtuar gjashtë grupeve parlamentare shqiptare për të propozuar nga një anëtarë për trupën e re të KQZ-së, po konsiderohet joligjore nga dy partitë opozitare dhe shoqëria civile.

Deputeti, njëherësh sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se pretendimi i presidentit, Hashim Thaçi që çdo subjekt parlamentar të ketë nga një përfaqësues në KQZ, është jashtë çdo rregulle të krijuar më herët.

Sipas tij, presidenti Thaçi është duke i bërë këto veprime me qëllim që t’i favorizoi partitë në pushtet dhe PSD-në.

Beqiri për KosovaPress ka thënë se presidenti Thaçi është i njohur për shtjellimet e tij dhe për këtë arsye po krijon momentume të paqena.Kundërshtuese e këtij qëndrimi të presidentit është edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se Thaçi po përpiqet të ketë një përbërje siç i përshtatet atij dhe jo siç e thuhet në dispozitat ligjore.

Në anën tjetër, kundër kësaj kërkese të presidentit Hashim Thaçi shprehet edhe shoqëria civile.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati, ka thënë se tendenca e presidentit Hashim Thaçi për t’i japur KQZ-së një formacion tjetër është në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore.Sipas tij,  VV-ja duhet të ketë 2 anëtarë, LDK po ashtu 2, ndërsa koalicioni PAN 2.

Ai thekson se logjika që secilit grup parlamentar t’i japet ulëse në KQZ do të dilte jashtë çdo funksionimi normal të kësaj trupe zgjedhore.

Ndërsa, të kënaqur me këtë veprim të presidentin shprehet Partia Socialdemokrate. Sipas tyre kjo është në përputhje me gjitha normat ligjore.

Deputetja e kësaj partie, Shqipe Pantina e ka konfirmuar se zyra e të parit të shtetit e ka dërguar një shkresë ku i është kërkuar partisë së saj të propozoi një emër për anëtarë të KQZ-së, gjë të cilën e kanë bërë.Ndërkaq, pavarësisht insistimi, Zyra e Presidentit nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara.