Fjalë Kyçe

PDK dhe AAK, Qeverisë: Silleni sa më parë Projektligjin për tërheqjen e Trustit në Kuvend

PDK dhe AAK, Qeverisë: Silleni sa më parë Projektligjin për tërheqjen e Trustit në Kuvend

Dy partitë opozitare PDK dhe AAK kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë ta sjellin në Kuvend, Projektligjin që u mundëson qytetarëve tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Shefi i Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se deputetët e PDK-së, në mbledhjen e Kryesisë kishin pritur të diskutohet projektligji i propozuar nga PDK për tërheqjen e kursimeve personale të qytetarëve nga Trusti.

“Sot në këtë mbledhje të Kryesisë kemi pritë që të miratohet projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për tërheqjen e Trusitit nga kursimet personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por një çështje e tillë ende qenka në Komisionin për Buxhet dhe Transfere dhe ne kërkojmë nga ky komision që të reagojë sa më shpejtë dhe ta sjellë projektligjin në mënyrë që ne si kryesi ta procedojmë për seancën e radhës. Pra për këtë të enjte nuk do të jetë e mundur ta trajtojmë këtë projektligj”, tha Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai u shpreh se beson që në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë do ta kenë të gatshëm këtë Projektligj për ta proceduar pastaj për seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

“Tërheqja nga Trusti e një shume të caktuar nga qytetarët do ta lehtësoj sado pak krizën që i ka kapluar shumicën e ekonomive familjare në vendin tonë”, u shpreh Tahiri.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri  kërkoi që ky Projektligj të vie sa më parë në Kuvend.

Tahiri tha se çështja e Trustit duhet të sillet në Kuvend, sipas tij edhe deputetët e shumicës e kanë kuptuar rëndësinë e tërheqjes së kursimeve personale nga Trusti, në këtë kohë krize ekonomike.

“Tema e dytë ka të bëjë me Trustin, kërkesa në kryesi është shumë e qartë, silleni ligjin për Trust sa më shpejt në seancë parlamentare për shkak se tani më edhe deputetët e shumicës e kuptojnë sesa e rëndësishme është që kontributdhënësit në këtë krizë të madhe ti tërheqin paratë përmes këtij ligji”, tha ai