Fjalë Kyçe

PDK-ja deklarohet rreth rrëzimit të Qeverisë

PDK-ja deklarohet rreth rrëzimit të Qeverisë

Analisti i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, ka vlerësuar se qeveria “Haradinaj” ka mundësi të rrëzohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Ai ka thënë se kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe liderët tjerë të vendit kanë synim që së pari ta suspendojnë taksën e vendosur ndaj produkteve serbe e pastaj ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj”, shkruan  “Zëri”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nuk e ka mohuar mundësinë e rrëzimit të qeverisë “Haradinaj”. Ai në fjalimin e mbajtur për përvjetorin e 11-të të Pavarësisë së Kosovës ka thënë se qeveria “Haradinaj” mund të bjerë për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe të vendeve partnere të vendit si SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, brenda PDK-së ende nuk ka ndonjë qëndrim se nëse ata do t’i bashkëngjiten opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Deputeti i kësaj partie, Zenun Pajaziti, ka thënë se aktualisht çështje më e rëndësishme sesa rrëzimi i Qeverisë është përfshirja e opozitës në dialogun me Serbinë.

“Ne nuk kemi pasur takim të partisë për këtë. Opozita sa herë t’i ketë votat mund ta rrëzojë Qeverinë. Unë mendoj që opozita duhet të ketë punë më të mençur e puna më e dobishme për vendin do të ishte që ata të kyçen në procesin e dialogut, një proces i rëndësishëm ku duhet t’i marrë përgjegjësitë e veta secili, në mënyrë që Kosova të kalojë sa më mirë këtë proces. Kjo është më e rëndësishmja, për çështje të tjera pastaj opozita mund t’i përcaktojë agjendat e saja vetë”, ka thënë ai.