Fjalë Kyçe

PDK: Kurti po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me aleatët ndërkombëtarë

PDK: Kurti po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me aleatët ndërkombëtarë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vlerëson se Qeveria Kurti po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtarë.

Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i PDK-së, Bernard Nikaj, ka thënë të shtunën në një konferencë për media, se kryeministri Kurti edhe po tërhiqet nga zbatimi i vendimeve të veta por edhe po ia dëmton Kosovës marrëdhëniet me aleatët perëndimor.

“Kryeministri Kurti edhe po tërhiqet nga zbatimi i vendimeve të tij edhe Po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtar. I gjithë debati i ditëve të fundit ka qenë iu fokusuar se a do të zbatohet vendimi legjitim i Qeverisë nga data 1 nëntor apo do të plotësohet kërkesa e SHBA-së për shtyrje të zbatimit për 10 muaj. Në fund kryeministri ka vendosur në mënyrë të njëanshme që ta shtyjë vendimin për gati gjashtë muaj, duke u tërhequr nga vendimi i tij por edhe duke e sjellë Kosovën në pozitë të pafavorshme në rraporet me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar”, ka thënë Nikaj.

Ai e ka quajtur këtë një qasje joserioze, e cila sipas tij Kosovën po e shndërron në palë destruktive dhe po e vë në pikëpyetje mbështetjen ndërkombëtare për vendin.

“Tani as nuk do të ketë targa RKS në veri ndërsa zyrtarisht SHBA-ja është shprehur e zhgënjyer me vendimin e Qeverisë. Një situatë të tillë në raport me SHBA-në Kosova nuk e ka pasur asnjëherë në të kaluarën. Në kontekstin aktual gjeopolitik është e domosdoshme pjekuria shtetërore për të koordinuar veprimet me aleatët tanë ndërkombëtar”, është shprehur Nikaj.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të premten të bëjë shkallëzimin e sanksioneve që i presin qytetarët që nuk i respektojnë afatet e vendosura për kthim të targave ilegale në ato RKS.

“Kemi ardhur në përfundim të sjellim propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi. Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës. Pra me këtë rast me këtë sekuencim dhe shkallëzim ne tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë e t’u japim shanse të gjithë atyre që dëshirojnë të integrohen”, ka thënë Kurti duke arsyetuar propozimin.

Mirëpo vendimi nuk i ka pëlqyer SHBA-së e cila është shprehur e zhgënjyer për mosshtyrje të afatit, ashtu siç ka kërkuar i dërguari i saj për Ballkanin Perëndimor ditë më parë, Gabriel Escobar.

Zbatimi i vendimit për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por pas barrikadave të vëna nga serbët dhe sulmeve të armatosura, Qeveria e pati shtyrë zbatimin, me kërkesë të ndërkombëtarëve. Afati përfundon më 31 tetor. E përkundër lehtësirave që u janë krijuar serbëve për konvertimin e targave nga ilegale në legale, deri më tani në Kosovë janë regjistruar vetëm 20 automjeteve me targa RKS.