Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren, e konsideron të pa pranueshëm dhe turpërues mos kualifikimin e Prizrenit, për të qenë përfitues të grantit të performancës komunale.
Kryetari i Degës së PDK-së, në Prizren, Shaqir Totaj, ka thënë në një konferencë për media se Komuna e Prizrenit ka dështuar të plotësojë kushtin minimal për të qenë përfituese e këtij granti.
“Komuna e Prizrenit, në vazhdën e dështimeve, dështon përsëri. Dështon të përmbushë kriteret për të qenë në konkurencë për të përfituar grantin e performancës komunale. Në raportin e rivlerësimit të performancës për grantin e performancës komunale për vitin fiskal 2021, të publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal shkruan se “Komuna e Prizrenit nuk është kualifikuar për grantin e performancës komunale për vitin 2021”. Komuna e Prizrenit ka dështuar të plotësoj kushtin minimal numër 2 (Komunat duhet të kenë respektuar obligimet ligjore për t’i rishikuar aktet komunale të vlerësuara si të kundërligjshme nga organet mbikqyrëse) dhe kushti minimal numër 4 (Shkalla e shpenzimeve të buxhetit për investime kapitale për vitin 2019 duhet të ishte së paku 75%”, ka thënë Totaj.
Sipas tij, nga 29 indikatorët vlerësues, Komuna e Prizrenit ka arritur të ketë 40 pikë nga gjithsej 96 pikë të mundshme.
“Qeverisje e turpit në Prizren është vazhdimisht duke dëshmuar me autogola se ata nuk e kanë merituar fitoren para 4 viteve. Janë të paaftë, nuk janë kompetent për të shtyrë projektet para, nuk kanë kuadro dhe mbi të gjitha nuk kanë dëshirë, vullnet politik dhe as guxim të qeverisin me Prizrenin”, është shprehur Totaj.