Fjalë Kyçe

PDK përgjigjet rreth ftesës së Kurtit për takim me krerët e partive politike

PDK përgjigjet rreth ftesës së Kurtit për takim me krerët e partive politike

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, ka folur për letrën e kryeministrit Albin Kurti që ia ka dërguar Enver Hoxhajt, ushtruesit të detyrës të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai për Klan Kosovën ka thënë se pasdite këtë të enjte e kanë pranuar letrën e Kurtit, por akoma nuk dihet nëse Hoxhaj do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës.

“Ne e kemi pranuar sot pasdite letrën e Kurtit. Pas kësaj e kemi mbajtur një takim në parti dhe akoma nuk e kemi marrë një vendim, do ta marrim javën e ardhshme”, ka thënë Totaj për Klan Kosova.

Ndryshe, qeveria e Kosovës me anë të një komunikate për media bëri të ditur sot se kryeministri Kurti ka ftuar liderët opozitarë të partive parlamentare për t’u takuar javën e ardhshme.

Sipas komunikatës, takimet do jenë “në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës”.