Fjalë Kyçe

Pejani tentoi të kontrabandojë arkivolë për t’i fituar 6 mijë euro

Pejani tentoi të kontrabandojë arkivolë për t’i fituar 6 mijë euro

Kosovarët duket se kanë filluar të bëjnë biznes edhe me të vdekur. Ata po i shmangen pagesave të tarifave doganore edhe për arkivole. Një rast i tillë është raportuar javën e kaluar, kur një pejan kishte tentuar t’i shmangej tarifave doganore për rreth 200 arkivole. Ndërkohë, sipas Doganës vetëm në pesë vitet e fundit, kosovarët kanë importuar mbi 22 mijë arkivole nga shtetet fqinje. Kostoja e gjithë këtyre arkivoleve është jo më pak se 80 mijë euro.

E mërkura nuk filloi edhe aq mirë për R.K nga Peja. Po atë ditë, ai u vu pas prangave nën dyshimin se kishte dashur t’i shmangej pagesës së tarifave doganore për rreth 200 arkivole.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria e Pejës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

Ai dyshohet se të mërkurën, rreth orës 15:30, në pikën kufitare në Kullë, me qëllim për t’iu shmangur taksës doganore për mallrat serbe, mallrat me origjinë nga shteti i Serbisë i kishte paraqitur si mallra nga Mali i Zi.

Sipas Prokurorisë R.K, këto mallra i kishte të ngarkuara në kamionin e markës “Mercedes”. Aty ishin të ngarkuara 175 arkivole për varrim në vlerë prej 5,200 euro, dhe synonte t’i shmangej taksës doganore në vlerë prej 6,195 euro.

‘Prokuroria Themelore e Pejës ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit R.K., për shkak se i njëjtit me datë 10 prill të këtij viti, rreth orës 15:30, në pikën kufitare në Kullë ,me qellim  për t’ju shmangur taksës doganore, përmes dokumenteve të rrejshme , mallrat me origjinë nga shteti i Serbisë i kishte deklaruar si mallra nga  shtetit i  Malit të Zi,  në atë mënyrë pasi që ditën kritike i pandehuri R.K, me kamionin e markës “Mercedes”, kishte të ngarkuara 175 arkivole për varrim, në vlerë prej 5,200 (pesëmijë e dyqind) euro, për t’ju shmangur taksës doganore në vlerë prej 6,195”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.

Por, sa është numri i arkivoleve që importohen në vit nga kosovarët?

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci i ka thënë Gazetës Express se vetëm gjatë këtij viti janë importuar rreth 400 arkivole në vlerë mbi 8 mijë euro.

Stavileci thotë se për çdo vit në vend importohen mesatarisht 4 mijë e 400 arkivole.

“Dogana importin e produkteve e cilëson ne KG, por nëse merret per baze pesha e një arkivoli qe varion nga lloji dhe modeli (nga 15-30 kg) vërejmë se gjate këtij viti pra deri tani kemi pasur import te rreth 400 arkivoleve mesatarisht”, ka thënë Stavileci.

Sipas statistikave të Doganës, vetëm në pesë vitet e fundit kanë hyrë mbi 22 mijë arkivole në Kosovë. Vetëm që t’i kenë për varrime këto arkivole, qytetarët kanë shpenzuar mbi 82 mijë euro përgjatë këtyre viteve.

Viti në të cilin ka pasur më së shumti interesim për arkivole po del të ketë qenë 2016’ta. Vetëm gjatë këtij viti, kosovarët kanë blerë rreth 5 mijë arkivole.

Ndërkohë, vendet prej të cilave importohen këto arkivole duket se nuk u bëjnë fort përshtypje vendasve.

Kosovarët blejnë arkivole edhe prej shtetit prej të cilit Kosova u nda me luftë.  Të tjera vende prej të cilave importohen arkivolet janë edhe Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Në  vitin 2014 kishim 4600

Në vitin 2015 kishim  4200

Në vitin 2016 kishim 4800

Në vitin 2017 kishim 4500

Në  vitin 2018 kishim 4000

Ndryshe, shmangia nga pagesa e tarifave doganore dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në bazë të Nenit 318 të këtij Kodi, kushdo që i shmanget pagesës së tarifave dogane mund të dënohet prej 3 deri në 8 vite burg.

“Kushdo që me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave  tatimore doganore apo tarifave tjera ose detyrimeve doganore që paguhen me rastin e importimit apo  eksportimit të mallrave, ose nëse doganës i paraqet dokument të rrejshëm lidhur me prejardhjen,  vlerën, sasinë, cilësinë, llojin apo karakteristikat tjera te mallit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në  tre (3) vjet.”

Ndërkohë nëse vlera e pagesës tejkalon shumën prej 15 mijë euro, kryesi dënohet me gjobë dhe deri në pesë vjet burg. Derisa nëse vlera e pagesës e kalon shumën prej 30 mijë euro, kryesi mund të dënohet deri me 8 vite burgim.

“Mallrat të cilat nuk janë deklaruar saktë apo vlera e pagesës së shmangur, cilado që të jetë më e lartë, konfiskohen”, parashihet me Kodin Penal.